Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, tha se ka nevojë për ndihmën e forcave të Iranit dhe të Hezbollahut dhe se ato do të qëndrojnë në Siri për aq kohë sa të konsiderohen të nevojshme.
Në një intervistë për televizionin al-Alam të Iranit, Assad tha se Republika Islamike nuk ka baza ushtarake në Siri, por nëse ato do të duhen, regjimi “do t’ua sigurojë”.
“Irani është një vend aleat, ashtu sikurse Rusia”, tha ai.
Assad tha se ka marrë mbështetje të madhe edhe nga luftëtarët e Hezbollahut – lëvizje islamike nga Libani.
Ai tha se këto forca i duhen ende qeverisë së tij, për të rikthyer kontrollin e 40 përqind të vendit, që kontrollohet nga rebelët.
“Hezbollahu është një element bazë në këtë luftë. Beteja është e gjatë dhe nevoja për këto forca ushtarake do të vazhdojë për një kohë të gjatë”, tha Assad.
Lufta civile në Siri ka nisur qysh në vitin 2011 dhe ka lënë të vrarë më shumë se gjysmë milioni njerëz.
Assad tha se i ka ftuar vetë luftëtarët aleatë në vendin e tij dhe se ai nuk do t’i largojë ata, ashtu siç kërkojnë Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, qoftë edhe në kuadër të ndonjë marrëveshjeje për paqe.