Kompania AstraZeneca ka përditësuar shkallën e efikasitetit të vaksinës së saj kundër COVID-19 në 76 për qind.
Vendimi vjen derisa udhëheqësit e Bashkimit Evropian përmes një samiti më 25 mars synojnë të gjejnë zgjidhje për strategjinë e vënies nën kontroll të pandemisë.
AstraZeneca tha më 24 mars se kishte rillogaritur të dhënat nga një studim i SHBA-së dhe arriti në përfundimin se vaksina është 76 për qind efektive në parandalimin e simptomave të COVID-19.
Përfundimi i ri erdhi pasi një panel i pavarur amerikan akuzoi AstraZeneca-n se nuk kishte marrë parasysh në mënyrë të duhur të dhënat për mbrojtjen e ofruar nga vaksina e saj.
Paneli tha se kompania kishte shmangur disa raste të COVID-19 që ndodhën gjatë studimin dhe kjo mund të minojë besimin në shkencë.
AstraZeneca tha se ka në plan të kërkojë autorizimin e përdorimit emergjent në SHBA në javët e ardhshme.
Kompania përsëriti gjithashtu se vaksina, e cila u zhvillua me Universitetin e Oksfordit, ishte 100 për qind efektive kundër formave të rënda ose kritike të sëmundjes. AstraZeneca tha se vaksina ka treguar 85 për qind efikasitet tek të rriturit 65 vjeç e lart.
Vaksina AstraZeneca shihet si thelbësore në trajtimin e përhapjes së COVID-19 nëpër botë sepse është më e lirë dhe më e lehtë për t’u transportuar sesa vaksinat e tjera.
Kompania u përball me probleme në fillim të këtij muaji, kur disa vende pezulluan përkohësisht përdorimin e vaksinës së saj, pas shqetësimeve të mpiksjes së gjakut në një numër të vogël njerëzish.
Pezullimet u hoqën pasi rregullatori i barnave të BE-së tha se vaksina ishte e sigurt.