“Atë ditë në Izbicë s’ka pasë dasëm, por janë masakruar 137 veta”, familjari i zhgënjyer me dënimin ndaj Alidemajt

Prishtinë | 02 Shk 2026 | 14:53 | Nga Gzim Mujaj

Familjari i viktimave, Islam Doni, pas përfundimit të seancës gjyqësore, tha se vendimi i gjykatës për dënimin e Muhamet Alidemajt është i ulët dhe se familjarët do të paraqesin ankesë ndaj aktgjykimit, duke shtuar se mbetet të shihet nëse do ta arrijnë qëllimin e tyre në instancat më të larta, raporton Ekonomia Online.

Doni tha se personalisht nuk ka parë që Alidemaj të ketë vrarë dikë me duart e tij, por sipas tij e ka parë atë duke u prirë forcave serbe për të hyrë në fshatin Izbicë, duke shtuar se nuk mund të pohojë për veprime që nuk i ka parë drejtpërdrejt.

Ai përshkroi se atë ditë në Izbicë nuk kishte pasur dasmë, por ishin dëgjuar krisma të armëve të rënda dhe të lehta, ndërsa sipas tij ishin masakruar 137 persona, si dhe më pas në dy raste të tjera ishin vrarë nga dy deri në trembëdhjetë banorë. Doni tha se fshati ishte djegur dhe plaçkitur, ndërsa sipas tij dy persona të paralizuar ishin djegur në prokolica traktorësh.

“Vendimi na duket shumë i ulët, mirëpo gjykata ka marrë vendim edhe çka kemi na me thënë përtej gjykatës. Më anku kemi me u anku, sa kena me arrit qëllimin tonë, mbetet me u pa.. Kodi penal i Jugosllavisë e përcakton kështu, bie në maksimum. Se për neve edhe 15 vjet normalisht që është pak… Unë personalisht nuk e kam parë që e ka vrarë askënd. Unë e kam parë që iu ka prirë serbëve me hy në fshatin Izbicë. Çka s’e kam parë nuk mundem me thanë që e kam parë duke vrarë. Mirëpo atë ditë në Izbicë nuk ka pasë dasëm. Atë ditë janë ndjerë krisma të tekave, topave, kallashave, pushkëve edhe janë masakruar 137. Edhe dy herë mbasandej na janë vrarë ka dy-trembëdhjetë. Edhe u djeg krejt fshati Izbicë, edhe u plaçkit. Janë djeg dy të paralizuar në prikolica të traktorit.  Nuk mundet me iu ikë ky prej përgjegjësie, as s’mundet me thënë që s’kam qenë unë. Normalisht, familjet që i kanë ndarë, gratë i kanë ndarë, iu ka shtirë thikën në fyt, i ka plaçkitur, i ka rrahur. Kanë dëshmuar këto në gjyq”, tha ai pas procesit gjyqësor.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Muhamet Alidemajn për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar me 13 vjet burg, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor më 2 shkurt 2026,

Vendimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Vesl Ismaili, i cili ka bërë të ditur se i akuzuari është dënuar për veprën penale të krimeve të luftës kundër civilëve.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor sot me datë 02.02.2026, ndaj të akuzuarit është fajtor se ka kryer veprën penale krime të luftës kundër popullsisë civile. Trupi gjykues në bazë të dispozitave, të akuzuarin Muhamet Alidemaj e shpall fajtor edhe e gjykon me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 13 vjetëve”, tha ai.

Ndryshe, në seancën fllestare më 29 prill 2022, në gjykimin e parë, Alidemaj ishte deklaruar i pafajshëm. Njëjtë u deklarua edhe në seancën e rigjykimit më 23 tetor 2025.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 12 korrik 2024 e shpalli Muhamet Alidemajn fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burg për krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë. Ndaj tij u shpall aktgjykim refuzues për dispozitivin e dytë, ku ngarkohej për zhvarrosjen e trupave me ekskavator, pasi në fjalën përfundimtare në seancën e 9 korrikut 2024, prokurori Ilir Morina u tërhoq nga pika e dytë e dispozitivit të aktakuzës, për shkak se nuk ishte arritur të vërtetohet se i akuzuari Alidemaj ka marrë pjesë në zhvarrosjen e viktimave.

Por, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndajnë gratë e fëmijët dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

Të ngjashme