Vendosja e “karantinës” ndaj pasagjerëve grekë në aeroportet e Gjermanisë, që në thelb interpretohet si përjashtim i Greqisë nga marrëveshja e “Schengen”-it, ka marrë përmasa të mëdha
Athina zyrtare ka reaguar ashpër, me një notë proteste, në fillim ndaj Berlinit, e më pas i është drejtuar edhe Komisionit Europian me një letër, në të cilën i kërkon të pozicionohet ndaj këtij akti.
Rivendosja e kontrollit të veçantë për pasagjerët grekë në aeroportet gjermane, prej datës 12 nëntor për 6 muaj, duke i konsideruar ata sikur vijnë nga një vend i tretë jashtë BE-së, si për shembull Turqia ose Egjipti, përveçse ka sjellë një valë të madhe pakënaqësie tek udhëtarët, ka shkaktuar edhe protesta.
Por Berlini duket se nuk do të bëjë pas në këtë aspekt, pasi përveç përforcimit të masave të sigurisë me rastin e festave të fundvitit, në përvjetorin e sulmit terrorist në kryeqytetin gjerman vitin e kaluar, janë regjistruar prej janarit të 2017-s plot 1.000 mbërritje të parregullta nga Greqia drejt Gjermanisë.
Sipas Ministrisë së Brendshme gjermane bëhet fjalë për emigrantë që kanë siguruar pasaporta ose karta identiteti false me nënshtetësi greke, njofton TCH.
Numri i këtyre personave është më i larti i regjistruar në fluturimet nga vendet e tjera anëtare të BE-së drejt Gjermanisë.
Gjithashtu, pala gjermane këmbëngul se ka njoftuar edhe Brukselin për këto masa, që përfshijnë jo vetëm pasagjerët që vijnë nga Greqia, por edhe ata që hyjnë nga kufiri austriak.
Autoritetet greke kanë njoftuar se, nga çasti kur hyri në fuqi kjo masë sigurie, kanë arrestuar 20 persona nga një total prej 33 mijë pasagjerësh, që kanë udhëtuar drejt Gjermanisë.
Përveç notës së protestës nga ana e Athinës zyrtare, edhe konservatorët grekë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj autoriteteve gjermane, duke e konsideruar këtë masë si fyese për qytetarët grekë, që janë njëkohësisht edhe europianë, pasi sipas tyre shkelet një nga arritjet më të mëdha të BE-së, siç është lëvizja e lirë brenda zonës “Schengen”.
Me interes priten rezultatet e një takimi tripalësh mbrëmjen e së mërkurës, midis ekspertëve gjermanë, grekë, si dhe atyre të Konisionit Europian në Bruksel, për zgjidhjen e këtij problemi.