Politikat fiskale lehtësojnë operimet e sektorit privat në vend, gjtihsesi bizneset vazhdojnë të hasin probleme në fusha të ndryshme të legjislacionit tatimor dhe procedurave doganore. Kështu u tha në forumin e politikave fiskale të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ku u diskutuan vështirësitë dhe pengesat e bizneseve në lidhje me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Doganën e Kosovës.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se Oda Amerikane mbetet e përkushtuar të rrisë partneritetin me këto institucione në ofrimin e rekomandimeve të bizneseve rreth çështjeve të cilat janë sfiduese për to, duke shtuar se nevojitet bashkëpunim më i madh mes institucioneve publike dhe përfaqësuesve të bizneseve.
Ndërsa Remzi Uka, Kryeshef Ekzekutiv i AFAM Group, tha se diskutime të tila me akterë relevant rreth operimeve të bizneseve dhe barrierat të cilat i hasin në tregti apo edhe sektorë të tjerë shërbejnë si adresë e bizneseve në adresimin e sfidave të tyre në mjedisin e të bërit biznes.
Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, tha se në mesin e objektivave kryesore strategjike të institucionit që ai udhëheq mbeten zhvillimi i bizneseve përmes lehtësirave tregtare si dhe avancimin dhe thjeshtëzimin e procedurave doganore.
Berisha shtoi se bizneset ende hasin në probleme të shumta në procedurat doganore si dhe barriera ligjore të cilat pengojnë zhvillimin e mirëfilltë të tyre. Ai siguroi se Dogana është e angazhuar për të vazhduar partneritetin me sektorin privat dhe do të mbeten transparent dhe të hapur të punojnë ngushtë me bizneset të cilat punojnë me parimet ligjore të tregtisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, përmendi ndër të tjera hartimin e ligjeve të reja në legjislacionin tatimor të cilat ndikojnë direkt tek bizneset.
Murtezaj tha se një ndër qëllimet kryesore të politikave fiskale nga ana e ATK-së është krijimi i stabilitetit në tregun e vendit përmes përmirësimit të legjislacionit si dhe avancimin e mëtutjeshëm të bizneseve përmes lehtësirave tatimore, duke shtuar se bashkëpunimi me sektorin privat është kyç në këtë drejtim.