ATK mbledh mbi 35 milionë € më shumë se planifikimi i Qeverisë, synohet zbritja e stokut të borxheve

Prishtinë | 29 Dhj 2021 | 14:56 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) Ilir Murtezaj dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, kanë mbajtur konferencë për medie, në të cilën prezantuan rezultatet e aktiviteteve të zhvilluara për periudhën janar-dhjetor 2021, raporton Ekonomia Online.

Ata thanë se plani i paraparë për këtë vit është tejkaluar për 35 milionë euro, ndërsa të hyrat për këtë vit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shënojnë një rritje për 124 milionë euro apo 26.6 për qind.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë se përkundër që ky vit ka qenë sfidues për shkak të pandemisë dhe problemeve tjera, ky institucion ka arritur ta tejkalojë planin e paraparë nga Qeveria.

Rritje të hyrave në raport me periudhën e njëjtë të 2020 ka pasur për 124.3 milionë, ndërsa në raport me 2019 për 87.1 milionë.

Tutje Murtezaj ka thënë se inkasimi i borxheve në total kao shifrën e 130.9 milionë euro, raporton EO.

“ATK ka kaluar në shumë sfida për shkak të pandemisë, megjithatë jemi angazhuar që krahas reformave brenda ATK, të arrijmë tejkalimin e planit të paraparë nga Qeveria. Mbledhja e borxheve si reforme e ATK-së, ngritja e llogaridhënies, janë disa nga reformat që janë ndërmarrë nga ATK Jemi në proces të riformimit të IT-së, ku kjo reformë do ta ngritë ATK-në më lartë, e që i kemi pranuar tri komponentë, dhe vitin e ardhshëm do të fillojë implementimin këtyre moduleve. Gjithashtu kemi punuar në lehtësimin për tatimpaguesit”, tha Murtezaj.

“Te hyrat dhe kontributet pensionale për janar-dhjetor 2019-2021. ATK ka arritur t’i inkasojë 591 milionë euro të hyra të realizuara, ndërsa 209 milionë euro kontribute pensionale. Ndërsa në vitin 2020, të hyrat e realizuara kanë qenë 467 milionë euro, ndërsa kontributet pensionale kanë qenë 195 milionë euro. Rritje për këtë vit kanë pasur edhe qarkullimi i bizneseve, ku këtë vit ky qarkullim është rritur për 33.2 për qind, krahasuar me vitin e kaluar. Inkasimi i borxheve nga ATK-ja për këtë vit është 130 milionë euro”, ka thënë tutje ai.

Tutje ai ka thënë se afro 3 mijë kërkesa janë pranuar nga bizneset për të përfituar nga pakot për Ringjalljen Ekonomike, për afro 10 mijë punëtorë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, ka thënë se janë të kënaqur me performancën e këtij institucioni.

“Gjithmonë mund të ketë më mirë, por mund ta konsiderojmë si vit të suksesshëm sepse kemi pasur tejkalim të buxhetit të planifikuar”.

“Kjo përveç që tregon trajtim të barabartë mundëson edhe Qeverise që të ketë të hyra më shumë dhe t’i orientojë rreth programeve zhvillimore. Normal që sfidë vazhdon të mbetet formalizmi i ekonomisë, sigurimi i integritetit të administratës tatimore”, u shpreh ai.

Të ngjashme