Performanca e të hyrave në Administratën Tatimore të Kosovës është duke u rritur vazhdimisht.
Sipas një njoftimi nga ATK, vetëm për muajt janar-shkurt 2018 nga të hyrat e rregullta janë mbledhur 78.9 milion euro dhe në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi rritje për 10.6 milion euro apo 15.5 %, transmeton Ekonomia Online.
Ndërsa, në raport me planin janë mbledhur 7.4 % më shumë të hyra. Të hyra të njëhershme nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) gjatë muajit janar janë arkëtuar 9.9 milion euro.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë arkëtuar mbi 23.1 milion euro të hyra për FKPK. Pra, gjithsej të hyra gjatë kësaj periudhe raportuese (Tatimet, FKPK dhe nga të hyrat e njëhershme nga FKPK) janë në vlerë prej mbi 111.9 milion euro.
“Rezultat për rritjen e të hyrave janë avancimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve, të cilat kanë lehtësuar në masë të madhe deklarimin dhe pagesën e tatimeve, si dhe kanë ngritur nivelin e përmbushjes vullnetare.
Po ashtu, këtu rol të rëndësishme ka edhe pjesa e legjislacionit tatimor, përmes së cilit bëhen përpjekje të vazhdueshme që të krijohet një infrastrukturë e mirë ligjore”, thuhet në komunikatë.