Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka zhvilluar sot një vizitë në “Lesna” për të parë së afërmi problemet me të cilat po ballafaqohet kjo kompani, si shkak i efekteve të pandemisë, raporton Ekonomia Online.
Gjatë ditës së sotme, Murtezaj i shoqëruar edhe nga kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, ka vizituar Parkun argëtues dhe edukativ për fëmijë “Kids Galaxy”, ku u prit nga drejtori gjeneral Faton Çitaku.
Teksa ka biseduar me ta, Murtezaj tha se brenda kornizave ligjore si ATK do t’i adresojë problemet në lehtësirat e të bërit biznes.
“Kjo është vizita e tretë sot që po bëjmë. Dihet që ATK-ja vazhdimisht është munduar që të krijojë një kulturë të komunikimit më bizneset, por për dallim nga herët e kaluara në vitet paraprake, këtë vit kemi vendosur që të bëjmë një kulturë më të re të komunikimit të drejtpërdrejtë, duke dalë te bizneset e duke i prekur problemet që kanë në raport me implementimin e ligjit, por edhe barrierat institucionale që mund t’i kenë”.
“Sot jemi tek kompania ‘Lesna, e cila e ka pjesën e lojërave dhe edukuese për fëmijë. Një kompani e cila realisht është risi për vendin tonë. Për mua është hera e parë që shih diçka e tillë”, u shpreh ai.
Sipas llogaritjeve nga të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës, nga 18 marsi deri me tani ka rënie prej 18% të qarkullimit të bizneseve apo shprehur në shifra mbi 1 miliard euro.
Duke pasur parasysh ankesat e vazhdueshme të bizneseve rreth situatës së krijuar nga pandemia, e cila është duke ju pamundësuar kryerjen me kohë të obligimeve tatimore, drejtori i ATK-së tha se kanë nisur komunikimin e drejtpërdrejtë me biznese.
Murtezaj premtoi lehtësira për bizneset. “Ne si institucion jemi duke bërë përpjekje për të bërë lehtësira sa më të mëdha për bizneset, dihet që jemi institucion zbatues i ligjit e jo të mund të bëjmë ndryshime ligjore, por brenda kornizave ligjore po mundohemi që t’i adresojmë problemet dhe shqetësimet që bizneset mund t’i kenë”.
Berat Rukiqi kryetar i OEK-ut, tha se institucionet nuk kanë bërë sa duhet për ta mbështetur sektorin privat, sidomos pas përhapjes së pandemisë.
“Është me rëndësi që të jemi bashkë me institucionet e vendit afër bizneseve tona. Mos të harrojmë që jashtë këtij investimi Bekimi me partnerët e tij ka investime në shumë sektorë tjerë dhe të gjithë sektorët janë goditur nga pandemia dhe kjo gjë është jo e lehtë për shkak se përkrahja institucionale nuk është në nivelin që ne e presim si sektorë privat mirëpo po mundohemi që ta lehtësojmë komunikimin dhe të shohim nga ana e lehtësirave fiskale dhe tatimore mund të bëhet”.
Faton Çitaku, drejtor gjeneral në Parkun argëtues dhe edukativ për fëmijë “Kids Galaxy”, duke falënderuar Murtezajn dhe Rukiqin për vizitën, tha se po bëjnë të pamundurën që mos t’i largojnë nga puna asnjë punëtor.
“Kjo vizitë është na jep një shpresë që institucionet janë duke bashkëndjerë me neve. Kjo vizitë është me rëndësi për neve sepse është diçka e re në tregun e Kosovës, ku është një park argëtues për fëmijë që është hapur në dhjetor të vitit të kaluar dhe porsa ka filluar t’i marr këmbët e veta, na ka atakuar pandemia”.
“Ndihma më e madhe ka të bëjë me atë se çfarë mund të bëjmë të kursejmë në rrjedhën e keshit në mënyrë që biznesi të jetë në gjendje të përforcojë e t’i mbaj punëtorët deri në rikthimin në normalitet”, tha ai.
Murtezaj dhe Rukiqi kanë vizituar edhe bizneset “Prishtina Mall” dhe “Ciao Berto”.
Plani për vizita te bizneset do të vazhdojë të implementohet edhe gjatë ditëve në vijmë, sipas përzgjedhjeve që do t’i bëjë Oda Ekonomike e Kosovës.