Në kuadër të programit të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional, me datë 04 Maj 2023 është mbajtur sesioni i radhës informues në bashkëpunim me Shoqatën e Kontabilistëve dhe Auditorëve të Certifikuar të Kosovës, me temat:
1. APLIKIMI I NGARKESËS SË KUNDËRT PËR TVSH PËR SHËRBIMET E BLERA JASHTË KOSOVËS;
2. APLIKIMI I NGARKESËS SË KUNDËRT PËR TVSH NË SEKTORIN E NDËRTIMTARISË;
3. MOMENTI I LINDJES SË DETYRIMIT PËR TVSH;
4. E DREJTA E ZBRITJES SË TVSH; dhe
5. RREGULLIMET E ZBRITJEVE PËR TVSH.
Përmes këtij sesioni, anëtarët e SHKÇAK janë njoftuar lidhur me aplikimin e Ngarkesës së kundërt të TVSH-së si për shërbimet e blera jashtë vendit, po ashtu, edhe për shërbimet në lëminë e ndërtimtarisë brenda territorit të Kosovës.
Më konkretisht, përmes këtij seminari/EVP janë ofruar sqarime të detajuara se si dhe kur duhet të aplikohet Ngarkesa e kundërt e TVSH-së për shërbimet e blera jashtë vendit dhe shërbimet në lëminë e ndërtimtarisë brenda vendit, kush janë personat e obliguar për të aplikuar ngarkesën e kundërt, si duhet të bëhet faturimi kur aplikohet ngarkesa e kundërt, si bëhet llogaritja e TVSH-së kur aplikohet ngarkesa e kundërt, si bëhet zbritja e TVSH-së kur aplikohet ngarkesa e kundërt, cilat janë shërbimet në lëmin e ndërtimit për të cilat duhet të aplikohet ngarkesa e kundërt, etj. Po ashtu, pjesëmarrësit janë njoftuar edhe për pasojat që mund të lindin sipas legjislacionit tatimor në rastet kur nuk aplikohet ngarkesa e kundërt për TVSH.
Gjithashtu, përmes të këtij seminari/EVP janë ofruar sqarime të detajuara lidhur me momentin e lindjes së detyrimit për TVSH, të drejtën e zbritjes së TVSH, si dhe për rregullimet e zbritjeve për TVSH.
Në këtë seminar/EVP janë prezantuar edhe shembuj dhe ushtrime për të bërë më të mundur të kuptuarit e drejtë të të gjitha temave të lartcekura.
Gjatë këtij seminari, pjesëmarrësit parashtruan pyetje të ndryshme, lidhur me temat e prezantuara, si dhe pyetje të tjera lidhur me Legjislacionin Tatimor. Për të gjitha pyetjet e parashtruara nga pjesëmarrësit, janë ofruar përgjigje adekuate nga prezantuesi i seminarit.