Antoine Griezmann i ka prishur të gjitha planet e merkatos Atletico Madridit, tashmë për ta do të jetë e vështirë të gjejnë një zëvendësues ideal të francezit, që për 5 vite ishte lider i skuadrës. Pavarësisht emrave që qarkullojnë në listë, tek klubi madrilen kanë një ëndërr: të firmosin me Joao Felix.
Edhe pse portugezi është vetëm 19 vjeç dhe për kartonin e tij Benfica kërkon të paktën 120 milionë euro (qëllimi i tyre është ta rrisin klauzolën në 200 mln), sërish Felix për ta cilësohet si një investim i kushtueshëm për momentin aktual dhe të ardhmen, pasi premisat janë që ai të jetë një lojtar i madh dhe mund të bëjë që të mos ndihet mungesa e Griezmann.
Ka qenë gazeta spanjolle “Marca”, që ka zbuluar se ky është plani i Diego Simeone për të zëvendësuar 28-vjeçarin, që vendosi të braktisë “Los Cholchoneros”.
Një avantazh për Atleticon është marrëdhënia e mirë që agjenti i Felix, Jorge Mendes, ka me Angel Gil Marin, CEO i klubit madrilen. Konkurrenca është problemi më i madh, sepse për sulmuesin anësor interesohen klubet më të forta në Europë, madje edhe Benfica i ka ofruar rinovim me pagë 2.5 milionë euro në sezon.
Gjithsesi Atletico Madrid njihet për investimet tek lojtarët me premisa, një fakt është afrimin i Griezmann para pesë vitesh dhe tani largohet si një ndër më të mirët në botë.