Vetëm pak ditë para ndeshjes që mund të shpëtojë stinorin e Atletico Madridit, lojtarët e skuadrës madrilene u mblodhën për të bërë skarë në kampin stërvitor të klubit.
U mblodhën pas seancës stërvitore për të shijuar një vakt të relaksuar në një nga fushat stërvitore në periferi të Madridit.
Ishte koha për të bashkuar grupin dhe për të vënë të gjithë në të njëjtën faqe, para ndeshjes më të madhe të stinorit, shkruan AP, transmeton “Koha Ditore”.
Atletico Madridi do të jetë mysafire e Barcelonës të shtunën për të tentuar që të mbajë shpresat e gjalla për të sfiduar titullin në La Liga dhe të mbyllë një stinor dëshpërues në mënyrën më të mirë.
Një fitore ndaj Barcelonës në “Camp Nou” do të zvogëlonte disavantazhin e Atleticos ndaj Barçës në pesë pikë, shtatë xhiro pa mbaruar stinori dhe do t’i jepte skuadrës madrilene mundësi që të ndjekë Barcelonën deri në fund.
“Përderisa kemi gjasa matematikore, ne duhet të mbesim ambiciozë dhe të kemi synime të mëdha”, ka thënë mesfushori i Atleticos, Rodrigo. “Do të tentojmë të bëjmë gjërat e vështira për ta”.
Barcelona në mesjavë bëri lëshim duke barazuar 4:4 në udhëtim ndaj Villarrealit dhe po ashtu duhet të shqetësohet për ndeshjen e vështirë në udhëtim ndaj Manchester Unitedit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, vetëm pak ditë pas duelit me Atleticon.