Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin vjetor të Auditimit për vitin 2019, raporton Ekonomia Online.
Për të raportuar para anëtarëve të këtij komisioni ishte ministrja e Financave Hykmete Bajrami dhe Auditori i Përgjithshëm i ZKA-së, Besnik Osmani.
Bajrami tha se të gjeturat ishin të fokusuara kryesisht në keqklasifikimin e shpenzimeve. Ajo më tej ka sqaruar se kanë përgatitur një plan për zbatimin e rekomandimeve.
“Të gjeturat e Auditorit në raportin për vitin 2019 ishin të fokusuara kryesisht në keqklasifikimin e shpenzimeve. Bilanci i parasë së gatshme në tableta buxhetore, detyrimet e papaguara dhe ato kontingjente, menaxhimi jo i mirë i prokurimeve publike”.
“Menjëherë pas publikimit të raportit të auditimit për vitin 2019, kam angazhuar drejtorin e Thesarit si dhe njësinë harmonizuese për përgatitje të planit të veprimit dhe pastaj aprovimit në Qeveri brenda afateve ligjore”.
“Thesari i ka rekomanduar disa ndryshime dhe i ka dërguar për plotësim te organizatat buxhetore planet e rekomanduara të dala nga raporti vjetor i auditorit për 2019. Në bazë të imputeve është përgatitu një plan i konsoliduar për zbatim të rekomandimeve”.
Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, tha se Qeveria dhe Kuvendi duhet të kenë plane konkretet të veprimit sa i përket shpenzimit të buxhetit. Ai më pas ka paraqitur disa nga të gjeturat në këtë ministri, raporton EO.
“Thesari gjatë vitit 2019 ka qenë i detyruar që të bëjë pagesa të detyrueshme me vendime gjyqësore prej 27.4 milionë euro dhe në raport me vitin e kaluar kemi zvogëlim prej 5 për qind. Përkundër që kemi një bilanc bankar stabil, ne kemi dashur të tërheqim vëmendjen e Qeverisë dhe Kuvendit që kategoritë e buxhetit do të kemi plane konkrete të veprimit”.
“Borxhi i jashtëm ka qenë 1.2 miliard euro, krahasuar me vitin paraprak ka pasur një rritje prej 108 milionë euro, e që këtu nuk i kemi përfshirë garancionet që janë afro 42 milionë euro. Borxhi publik, nëse e krahasojmë me Bruto Produktin për vitin 2019 ka qenë 17 për qind, e që është brenda rregullës së artë fiskale sepse pragu maksimal është 40 për qind siç përcaktohet me Ligji për borxhin publik”.