Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka publikuar raportin dhe pasqyrat financiare të Komunës së Kaçanikut për 2017. Në të janë pasqyruar një varg shkeljesh dhe gjetjesh.
Gjatë këtij viti Ekzekutivi ka dështuar ta menaxhonte paranë publike derisa nuk ka arritur ta realizonte buxhetin për investime kapitale sipas planit dhe projekteve të synuara, shkruan sot “Koha Ditore”.
Nga projektet të parapara me Programin për investime publike, 17 prej tyre në vlerë 97 mijë euro nuk kanë nisur së zbatuari. Kjo ka shkaktuar një ulje të performancës ndaj shpenzimeve në total.
Sipas auditorit kjo komunë gjatë vitit 2017 është përballur edhe me një varg shkeljesh ligjore derisa nuk ka arritur të kryente rianketimin për verifikimin e 1/3 e pronave të regjistruara, siç kërkohet me Ligjin e tatimit në pronën e paluajtshme . Nga 8,847 prona të regjistruara vetëm 1,535 prona janë verifikuar.
Nga të hyrat e planifikuara nga shfrytëzimi i pronës publike në shumë prej 30 mijë eurosh ishin arkëtuar vetëm 16 mijë e 159 euro apo 54 për qind.
Rreth shkeljeve të cilat janë gjetur nga Auditori i përgjithshëm ka reaguar Ekrem Raka, këshilltar në KK të Kaçanikut nga radhët “Lista për Kaçanikun”.
“Zvogëlimi i buxhetit për paga dhe mëditje për 38 mijë e 468 euro është pasojë e kthimit të mjeteve të pashpenzuara për shkak se me buxhet i kishin të lejuar 798 punëtorë, kurse numri aktual i tyre ishte 779 punëtorë.
“Vetëm 79 për qind e buxhetit për investime kapitale janë shpenzuar, kurse nga projektet e parapara me Programin për investime publike, 17 prej tyre, në vlerë prej 97 mijë eurosh, nuk kanë filluar së zbatuari”, ka thënë Raka.