Korporata Energjetike e Kosovës ka dështuar të zbatojë tenderë të rregullt për furnizim me acid klorhidrik dhe mazut, duke u detyruar të lidhë gjashtë kontrata përmes procedurës së negociuar në vlerë prej mbi 1.6 milionë euro. Raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit ka vënë në pah se ky dështim u bë si pasojë e kritereve diskriminuese në dosjet e tenderit. Përveç kësaj, auditori ka evidentuar shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik edhe përmes ndarjes artificiale të kontratave me vlerë minimale për blerjen e kushinetave, ngjitësve dhe tonerëve.
Tri kontrata për furnizim me acid klorhidrik në vlerë 240,030 euro dhe tri për furnizim me lëndë djegëse mazut mbi 1.4 milionë euro, i lidhi Korporata Energjetike (KEK) vitin e kaluar përmes procedurës së negociuar, ani se për to kishte shpallur tender të rregullt.
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për këtë ndërmarrje, KEK-u kishte vendosur kritere që nuk ishin në përputhje me Ligjin e Prokurimit.
Në raport theksohet se për aktivitetin e furnizimit me acid klorhidrik, por edhe në atë për furnizim me lëndë djegëse mazut, procedurat kishte dështuar për shkak të kritereve diskriminuese dhe mangësive në dosje të tenderit.
“Sipas vlerësimit të OSHP-së, KEK-u kishte vendosur kriterin diskriminues lidhur me standardin EN 939:2016, i cili aplikohet për acid klorhidrik për trajtimin e ujërave të pijshëm dhe nuk duhet të kërkohet për trajtim të ujërave industriale. Megjithatë në një procedurë të negociuar të prokurimit ndërmarrja kishte ftuar për negocim më shumë se një operator ekonomik”, thuhet në raportin e ZKA-së.
KEK-u është arsyetuar lidhur me këtë duke thënë se aktivitetet e filluara në 2024 dhe 2025 janë anuluar dhe për këtë kanë lidhur kontrata me negocim.
“Gjatë vitit 2026 kemi filluar procedurat e reja për të dy lëndët, Kontrata Kornizë 3-vjeçare dhe janë në proces të prokurimit. Këto dy lëndë janë bazike për funksionalizimin e prodhimit të Energjisë Elektrike në Termocentrale dhe njëkohësisht mungesa e këtyre lendeve do të shkaktonte krizë energjetike në vendin tonë”, thuhet në arsyetimin e KEK-ut.
ZKA-ja po ashtu ka konstatuar se në 12 raste të furnizimit me gazra industrialë, ndërmarrja nuk ka arritur të dëshmojë se menaxheri i kontratës ka aprovuar përputhshmërinë e furnizimeve me kushtet e kontratës si dhe nuk ka qenë pjesë e komisionit për pranimin e furnizimeve.
Aty thuhet se në dosje të lëndëve mungojnë dëshmitë e konfirmimit se malli i pranuar është furnizuar nga prodhuesi i deklaruar dhe i certifikuar sipas standardeve ISO, të cilat ishin kërkuar në dosjen e tenderit.
Mangësi janë identifikuar edhe në tri aktivitete të tjera prokurimi, në të cilat sipas ZKA-së, ndërmarrja kishte vendosur kriter edhe kërkesat mbi kapacitetet teknike dhe profesionale, por që kjo kërkesë nuk është aplikuar në përputhje me kërkesat ligjore.
Përdorimi i shpeshtë i procedurës me vlerë minimale është shkelja tjetër që ka evidentuar ZKA-ja.
Sipas neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit të Prokurimit Publik, autoritetet kontraktuese ndalohen të ulin artificialisht vlerën e kontratës ose të ndajnë kërkesat e prokurimit me qëllim anashkalimin e kufijve financiarë të përcaktuar në nenin 19.
“Ndërmarrja kishte nënshkruar gjashtë kontrata për furnizim me kushineta, në vlerë totale 56,198€. Tri prej këtyre kontratave kanë pasur vlerë më të ulët se 1,000€, përderisa katër prej tyre janë lidhur me të njëjtin operator ekonomik. Sipas planit të prokurimit të vitit 2025, ndërmarrja kishte paraparë një procedurë të prokurimit për furnizim me ngjitës, ndërsa gjatë vitit kishte nënshkruar 10 kontrata në vlerë prej 84,972€. Nga kontratat e lidhura, tetë ishin nënshkruar me të njëjtin operator ekonomik. Ndërsa sa i përket furnizimit me toner, ndërmarrja kishte nënshkruar pesë kontrata, në vlerë totale 3,048€, katër prej të cilave kanë pasur vlerë më të ulët se 1,000€, edhe përkundër planit të prokurimit i cili ka të planifikuar furnizimin përmes një procedure të prokurimit”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Kjo praktikë, sipas ZKA-së, mund të cenojë ekonomicitetin, pasi çmimet për sasi më të vogla mund të jenë më të larta krahasuar me blerjet në sasi më të mëdha.
Opinion i ZKA-së për pasqyrat financiare vjetore të KEK-ut, është i kualifikuar.
Në raport janë përmendur çështjet që kanë ndikuar në këtë opinion.
“Ndërmarrja gjatë vitit 2025 ka nënshkruar kontrata furnizimi me konsumatorë komercialë, prej të cilave 32 nuk kanë përmbushur kërkesën për garancion bankar ose parapagim, sipas kushteve kontraktuale për menaxhimin e riskut kreditor”, thuhet në raport. “Ndërmarrja pas pranimit të raportit të KOSTT mbi tepricat e energjisë, nuk ka arritur të dokumentojë vendimmarrjen rreth ndarjes së sasive që do të tregtohen përmes bursës ALPEX/bursave të tjera dhe/apo ankandit, sipas procedurave të brendshme”.
Në dokument theksohet se procesi i tregtimit të tepricave të energjisë bazohet në procedurën e brendshme dhe realizohet përmes bursave dhe ankandeve, megjithëse mungojnë mekanizma të mjaftueshëm për monitorim dhe kontroll të brendshëm. Aty tregohet se ankandet zhvillohen përmes një sistemi e-maili në Microsoft Exchange Server 2010, i cili është jashtë mbështetjes dhe nuk ofron përditësime të sigurisë, si dhe nuk ka gjurmë auditimi, duke mos lejuar verifikim të saktë të aktiviteteve.
Në mesin e çështjeve janë edhe kontratat e negociuara.
Vërejtje janë dhënë edhe për pasurinë.
“Ndërmarrja nuk ka arritur të finalizojë përditësimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme, përkundër veprimeve të ndërmarra gjatë vitit 2025. Në regjistër vazhdojnë të figurojnë prona që nuk janë në pronësi të ndërmarrjes, përfshirë pesë prona të transferuara te Infrakos në vlerë 7,867,541€, 11 parcela të identifikuara për fshirje në vlerë 866,223€, si dhe prona ‘Mali i pyllëzuar’ në Podujevë në vlerë 5,000,000€. Po ashtu, prona në Prishtinë nuk është përditësuar sipas certifikatës së pronësisë, ndërsa ajo në Vasilevë është vetëm pjesërisht e regjistruar”, thuhet në raport. “Gjithashtu, janë evidentuar mangësi në regjistrin e pasurive, përfshirë përshkrime të paplota dhe parcela të pabartura nga proceset e shpronësimit”.
Në dokument theksohet se menaxhmenti gjatë vitit 2023 ka kryer rivlerësim vetëm për kategorinë e tokave, ndërsa kategoritë e tjera të pasurive janë mbajtur sipas modelit të kostos fillestare. Megjithatë, regjistri i pasurive, sipas dokumentit, përmban 472 pasuri me vlerë neto 7,744,723 euro që nuk janë në përputhje me këtë model. Në regjistër janë 5,376 pasuri me vlerë fillestare, të rivlerësuar dhe vlerë neto zero, duke përfshirë objekte, rrugë, hekurudha, rrjete, largpërçues, pajisje dhe makineri.
“Ndërmarrja nuk kishte bërë trajtimin e plotë të rezultateve të komisionit të inventarizimit dhe nuk kishte bërë harmonizimin e plotë të rezultateve me shënimet kontabël, të cilat përshijnë mos harmonizim të pasurive në vlerë 135,501€”, thuhet në dokument.