Pothuajse tri dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë, drejtësia për krimet e luftës vazhdon të përballet me një sfidë të madhe: sjelljen e të dyshuarve dhe të akuzuarve para drejtësisë.
Ndërsa, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale kanë hapur mundësinë që këto raste të gjykohen edhe në mungesë të të akuzuarve, si një mekanizëm për të shmangur zvarritjen e pafundme të proceseve dhe rrezikun që autorët të mbeten të pandëshkuar.
Avokati Tomë Gashi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se duke pasur parasysh se nga përfundimi i luftës në Kosovë kanë kaluar 27 vjet, gjykimet në mungesë janë një zgjidhje juridike për personat që dyshohen ose akuzohen për krime lufte.
“Po, mendoj që tani të gjithë po e dimë që ka disa vite që në bazë të ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale, është e mundshme që për rastet e krimeve të luftës të mbahen gjykimet në mungesë. Sigurisht që paraprakisht duhet Prokuroria apo Gjykata, varësisht në çfarë faze janë, që të tentojnë të gjejnë dhe të identifikojnë personat të cilët janë nën hetime dhe pastaj janë të akuzuar për rastet e krimeve të luftës. Dhe nëse gjykata është e bindur që janë bërë mjaftueshëm tentativa për t’i siguruar fizikisht, atëherë ekziston mundësia e gjykimit në mungesë.
Mendoj që, duke pasur parasysh që lufta ka përfunduar që 27 vite, kjo është një e mirë, një solucion i mirë juridik që personat që kanë kryer krime të luftës – e që dihet që kryesisht janë pjesëtarë serbë të policisë, të ushtrisë dhe paraushtarakë serbë, të cilët në Kosovë kanë vrarë mbi 15,000 civilë, kanë shkatërruar gjithë infrastrukturën e Kosovës, dhe faktikisht ne kemi edhe ditën e sotme me mijëra të zhdukur, fati i të cilëve nuk dihet. Do të thotë, dihet që dëshmitarët mund t’i harrojnë rastet, një pjesë e dëshmitarëve mund edhe të mos jenë gjallë për shkak të periudhës kohore që ka kaluar dhe për shkak të moshës së tyre. Për këtë, mendoj që është një solucion i mirë juridik që të kemi aktgjykime për krime të luftës në mungesë. Në momentin që këto bëhen të plotfuqishme, atëherë sigurisht që lëshohen fletëarreste për t’i vuajtur dënimet ata persona që gjenden fajtorë”, tha ai.
Gashi ka thënë se efektet e gjykimeve në mungesë nuk janë të njëjta me ato kur të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjykimit, ndërsa ka theksuar mungesën e bashkëpunimit juridik me Serbinë.
“Mendoj që kjo është diçka pozitive, mirëpo efekti nuk është edhe aq i madh. Besoj që e mira do të ishte nëse do të kishte bashkëpunim në mes të organeve të ndjekjes, në mes të prokurorisë dhe policisë me ata të cilët janë duke u kërkuar, mirëpo ky bashkëpunim nuk është realizuar as përmes misioneve të huaja të UNMIK-ut dhe të EULEX-it. Dihet që Serbia nuk e pranon integritetin territorial, nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, nuk e pranon fare shtetin e Kosovës, dhe për këtë arsye nuk ka bashkëpunim juridik ndërkombëtar. Edhe në raste shumë të vogla kur ka një bashkëpunim të tillë, kryesisht bëhet për raste të tjera, mirëpo jo për rastet e krimeve të luftës sepse Serbia i mohon këto. Ndërsa ajo pjesa tjetër që është shumë negative: Serbia, edhe pas 27 viteve, në Kushtetutën e saj e ka pjesë qenësore e integrale gjithë territorin e Republikës së Kosovës, gjë që është një nonsens juridik”, u shpreh ai për Ekonomia Online.
Sipas tij, qëllimi i gjykimeve në mungesë është që personat e dyshuar për krime lufte të mos mbeten të pandëshkuar.
“Sigurisht, duke e ditur që drejtësia kërkohet për viktimat, drejtësia kërkohet për të dëmtuarit, mendoj që kjo është një prej varianteve juridike që përdoret, në mënyrë që personat që kanë kryer krime të luftës mos të mbesin të padënuar. Se sa efektive është, efekti nuk është edhe aq i madh, mirëpo është më mirë që të dënohen në mungesë se të mbeten të padënuar”, tha ai.
Gashi ka sqaruar se edhe në rastet e gjykimeve në mungesë, të akuzuarve u garantohet e drejta për mbrojtje përmes avokatit.
“Sigurisht që ka. Mendoj që, fillimisht a po vazhdojmë të themi për këto gjykimet në mungesë? Secilit prej të akuzuarve i garantohet e drejta e tyre; pavarësisht që ata nuk janë fare në gjykatat e Kosovës, u garantohet që të kenë avokat mbrojtës, që i bie që avokati i mbron ata, i përfaqëson ata edhe pse klientët e tyre nuk janë fare në sallën e gjykimit”, deklaroi Gashi.
Ai ka theksuar se prania e të akuzuarve në gjykim do ta bënte drejtësinë më kredibile.
“Dallimi është jashtëzakonisht i madh. Mendoj që drejtësia për viktimat vihet në vend shumë më mirë kur personat janë prezentë në sallat e gjykimit pasi që janë të akuzuar, sepse aktgjykimet janë shumë më kredibile. Mendoj që gjykimet janë më të drejta, mirëpo në shumicën e rasteve është e pamundshme që kriminelët, të cilët dihet që strehohen në Serbi apo eventualisht në vende të tjera, t’i sjellim para drejtësisë kosovare. Kështu që, edhe një herë po e them, është shumë më e drejtë dhe seancat janë më efektive nëse i kemi prezentë në sallat e gjykimit në Republikën tonë të Kosovës. Mirëpo, si një prej varianteve, para disa viteve ka filluar të përdoret edhe gjykimi në mungesë. Sigurisht që ka një efekt, mirëpo efekti është shumë më i vogël në raport me gjykimet në prezencë të të akuzuarve”, tha ai.
Sa i përket fletëarresteve ndërkombëtare, Gashi ka thënë se ato lëshohen përmes procedurave përkatëse dhe se INTERPOL-i merret me personat që janë në kërkim.
“Ndërkombëtarisht po. Sigurisht që lëshohen fletëarreste ndërkombëtare dhe këto i kryen INTERPOL-i. Do të thotë, ne kemi zyra të veçanta në territorin tonë, zyrat janë në Prishtinë. INTERPOL-i, si organizatë e cila merret me çështje të tilla të kërkimit të personave që janë nën ndjekje penale, merret edhe me ata të cilët duhet të vuajnë dënimin pas një aktgjykimi të plotfuqishëm. Kjo bëhet me iniciativë dhe me insistimin e Republikës sonë. Saktësisht, gjykata lëshon një fletëarrest fillimisht vendor, pastaj ndërkombëtar, dhe Ministria jonë e Drejtësisë e ka punën tjetër për t’i realizuar këto fletëarreste ndërkombëtare që lëshohen nga gjykatat tona. Dhe INTERPOL-i është i obliguar që këto t’i realizojë në momentin që këta persona kapen”, u shpreh ai.
Gashi ka thënë se Serbia nuk bashkëpunon me INTERPOL-in për rastet e krimeve të luftës dhe se pa presion ndërkombëtar është e vështirë të sigurohet sjellja e të akuzuarve në Kosovë.
“Mirëpo duhet ta dimë që Serbia nuk bashkëpunon as me INTERPOL-in kur kemi çështje të rasteve të krimeve të luftës. Është një situatë e cila shumë pak, apo fare, nuk mund të zgjidhet pa presion ndërkombëtar”, tha Gashi.
Ai ka përmendur edhe rastin e Milan Radoiçiqit, duke thënë se nevojitet presion më i madh ndërkombëtar për sjelljen e tij para drejtësisë në Kosovë.
“Po i shohim edhe rastet më të freskëta që janë – jo ato raste që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999 – por po e shohim për shembull Radoiçiqin, i cili është i akuzuar për disa raste, do të thotë raste shumë të rënda për krime të luftës, pastaj për terrorizëm, dhe ende nuk ka një trysni ndërkombëtare që ta sjellin në Republikën tonë për t’u gjykuar. Meqenëse tani i kemi aktakuzat e gatshme dhe janë në gjykatat tona, mendoj që Kosova e ka thuajse të pamundshme që ta sjellë atë në territorin e shtetit tonë pa një trysni më të madhe ndërkombëtare”, tha ai.
Sipas Gashit, Bashkimi Evropian duhet të shtojë presionin ndaj Serbisë, ndërsa ka kërkuar rol më të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Edhe pse kjo flitet në Bashkimin Evropian dhe ka forume të ndryshme të cilat i bëjnë presion Serbisë që ta dorëzojë Radoiçiqin, terroristët e tjerë dhe kriminelët e tjerë të luftës, në mënyrë që të ballafaqohen me drejtësinë në territorin ku i kanë kryer këto vepra penale (që është Republika e Kosovës), trysnia duhet të jetë më e madhe. Mendoj që pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa një trysni të madhe që SHBA-ja mund dhe duhet t’ia bëjë Serbisë, do ta kemi të pamundshme për një periudhë kohore që t’i gjykojmë këta terroristë dhe persona të cilët kanë kryer krime gjatë luftës. Mendoj që drejtësia do të vonohet për ta”, tha Gashi.
Në fund, Gashi ka theksuar se për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit nuk ka vjetërsim të ndjekjes penale, por ka paralajmëruar se kalimi i kohës mund të bëjë që të akuzuarit të mos mund të gjykohen për shkak të vdekjes së tyre.
“Megjithatë, duke e ditur që për rastet e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit nuk ka vjetërsim të ndjekjes penale, ky është një solucion ndërkombëtar që vlen. Mirëpo është diçka tjetër, sepse edhe vetë të akuzuarit, varësisht prej moshave dhe situatave të tyre, edhe vdesin. Do të thotë që për Kosovën do të jetë e pamundshme që në të ardhmen t’i gjykojë ata, dhe për këtë arsye gjykimi në mungesë është një solucion juridik që sadopak të kemi drejtësi për viktimat e luftës, të cilat viktima gjithmonë janë civilë”, deklaroi ai.
