Kontrabanda e ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, me konsujt e jashtëligjshëm për të cilët ka raportuar në vazhdimësi KOHA, është konfirmuar edhe nga Zyra Kombëtare e Auditorit, që këtë muaj ka publikuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare të kësaj ministrie.
Në mënyrë të jashtëligjshme, Pacolli kishte emëruar gjashtë konsuj në misione diplomatike, të cilët ishin pjesëmarrës në konkursin e marsit të vitit 2019, mirëpo nuk ishin propozuar nga komisioni përzgjedhës. Të njëjtit nuk kanë kaluar përmes komisionit të gradave, por me to i kishte pajisur vetë Pacolli. Ndërkaq, tre të tjerë janë emëruar pa konkurs dhe pa qenë anëtarë në shërbimin e jashtëm.
Auditori ka identifikuar se komisioni i vlerësimit më 5 korrik 2019, i kishte propozuar ministrit listën me 15 kandidatët e përzgjedhur, me ç’rast ministri me vendim e kishte aprovuar listën e kandidatëve. Kësaj liste, pa aprovim të komisionit ia kishte bashkëngjitur edhe gjashtë vendime të tjera për emërim. Sipas Auditorit, kjo kishte ndodhur nga papërgjegjësia e Ministrisë për t’i ndjekur dhe respektuar kërkesat e përcaktuara ligjore.
“Emërimi i konsujve pa konkurs dhe pa kaluar përmes komisionit të gradave, ua pamundëson aplikimin qytetarëve të tjerë të interesuar për këtë pozitë, ndikon në dëmtimin e transparencës, si dhe mund të ndikojë që kandidatët e përzgjedhur të jenë jomeritorë dhe jokompetentë për këtë pozitë”, thuhet në raportin e Auditorit.
“Koha Ditore” pati raportuar për këto shkelje më 13 shtator të vitit të kaluar. Duke u thirrur në “propozimin” e komisionit që kishte përzgjedhur zyrtarë të misionit diplomatikë në bazë të konkursit të shpallur në mars, Behgjet Pacolli i kishte bërë me grada konsujsh zyrtarët e AKR-së, Ramiz Ismajlin e Ngadhnjim Makollin, si dhe ish-këshilltarin e tij, Liridon Sadrija.
Sadrija ishte emëruar konsull në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Hamburg të Gjermanisë; Ismajli konsull në Misionin Diplomatik të Republikës së Kosovës në Abu Dabi/Emiratet e Bashkuara Arabe; kurse Makolli, konsull në Misionin Diplomatik në Kanberra të Australisë.
Pa ardhjes në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca kishte shfuqizuar vendimet për emërimin e këtyre tre konsujve, krahas 12 konsujve të tjerë që ishin emëruar jashtëligjshëm. (storie 20 shkurt 2020).
Ndërkaq, pasardhësja e Konjufcës, ministrja Meliza Haradinaj, kishte rishqyrtuar ligjshmërinë e këtyre vendimeve. Edhe pse nuk janë bërë publike, ajo ka thënë se vendimi për pezullim nuk i ka përfshirë edhe konsujt. Në lidhje me këto gjetje, KOHA ka adresuar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme, por përgjigjet kanë munguar.