Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, tha të mërkurën se thirrjet e vendit të tij për hetime të pavarura për prejardhjen e Covid-19 janë të arsyeshme dhe nuk kanë në shënjestër ndonjë shtet të caktuar.
Marrëdhëniet dypalëshe mes Australisë dhe Kinës janë përkeqësuar në javët e fundit pas thirrjes së kryeministrit australian për hetime rreth prejardhjes së koronavirusit të ri, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Kryeministri Morrison këmbënguli se thirrja e tij nuk është përpjekje për ta kritikuar Kinën dhe se vendi i tij do të vazhdojë të bëjë trysni në këtë drejtim, pavarësisht se një politikë e tillë mund ta zemërojë Kinën, partneren më të madhe tregtare të Australisë.
“Ajo që Australia është duke ndjekur nuk ka ndonjë shënjestër. Ky është një virus që ua ka marrë jetën më shumë se 200,000 njerëzve në mbarë botën. E ka bllokuar ekonominë. Ndikimi i kësaj është i jashtëzakonshëm. Do të dukej krejtësisht e arsyeshme dhe e logjikshme që bota ta dëshirojë një vlerësim të pavarur”, tha Morrison.
Ndryshe, Coronavirusi i ri besohet se e ka origjinën në Kinë, ku në dhjetor të vitit të kaluar u shënuan rastet e para të njerëzve të infektuar. Numri i të infektuarve në mbarë botën tashmë ka shkuar në mbi 3.1 milionë.