Australia ende ka pak gjasa për të kaluar tutje. Pika e fituar ndaj Danimarkës në ndeshjen e dytë mund të bëhet vendimtare, nëse Australia mposht Perunë në ndeshjen e fundit në grup dhe në të njëjtën kohë Danimarka pëson nga Franca. Por që të avancojë tutje, Australia duhet të ketë edhe goldallim më të mirë se Danimarka.
Trajneri holandez i Australisë, Bert van Marwijk, shpreson se Franca mund t’ia bëjë një favor ekipit të tij të martën (sot) nga ora 16:00, kur luhen ndeshjet e fundit në kuadër të Grupit C të botërorit në Rusi, shkruan Koha Ditore.
“Mendoj se lojtarët e Francës e kanë krenarinë e tyre. Ata kanë fituar dy herë por nuk kanë luajtur mirë dhe ata duan t’ia dëshmojnë tërë botës që janë prej më të mirëve në botërorë”, ka thënë Marwijk që ka drejtuar Holandën në finale të Botërorit të vitit 2010. “Shpresoj se ata do të bëjnë më të mirën dhe do të fitojnë ndeshjen”, ka shtuar holandezi, për të cilin kjo mund të jetë ndeshja e fundit në krye të Australisë.
Peruja tashmë është jashtë Botërorit, pasi ka humbur dy ndeshjet e para, por për kapitenin Paolo Guerrero ndeshja ndaj Australisë do të jetë me peshë. 34-vjeçari ishte në rrezik që të mungonte në Botëror, për shkak të një dënimi, por në fund e fitoi të drejtën e paraqitjes.