Austria mund të nisë të lehtësojë masat e saj të izolimit kundër koronavirusit duke filluar që nga java e ardhshme deklaroi kancelari Sebastian Kurz, i cili paralajmëroi megjithatë se kjo do të varet nga qytetarët sesa do t`i binden rregullave të distancimit social.
“Qëllimi është që duke filluar nga 14 Prilli, dyqanet më të vogla deri në madhësinë 400 metra katror, si dhe dyqanet e pajisjeve të kopshtarisë e ato të kompjuterëve, mund të hapen përsëri, por kuptohet me kushte të rrepta”, tha Kurz në një konferencë për shtyp.
Ai shtoi se nëse gjërat shkojnë ashtu siç është planifikuar, dyqanet më të mëdha e qendrat tregtare do të rihapen më 1 maj dhe duke filluar nga mesi i majit hotele, restorante dhe shërbime të tjera gjithashtu mund të fillojnë të çelin dyert e tyre, gjithmonë me faza.
Kurz e bëri megjithatë të qartë se kufizimet e lëvizjes që Austria ka ndërmarrë për të luftuar përhapjen e COVID-19, do të mbeten në fuqi dhe u bëri thirrje austriakëve që të mos festojnë Pashkën me njerëz jashtë familjes së tyre.
Shkollat do të qëndrojnë të mbyllura deri në mes të majit, dhe eventet publike do të jenë të ndaluara deri në fund të qershorit, sipas kancelarit.
Nëse tendencat e infeksionit filluan të përkeqësohen përsëri, qeveria “gjithmonë ka mundësinë të tërheq frenat e emergjencës” dhe të rivendosë kufizimet, shtoi ai.
Austria me 8.8 milion banorë ka aktualisht 12.058 raste të konfirmuara dhe 204 vdekje.