Një studim i ri thotë se fëmijët me autizëm mund të diagnostikohen që në lindje me një test të thjeshtë dëgjimi.
Shkencëtarët thonë se zbulimi i hershëm i sëmundjes para zhvillimit të simptomave do të mundësonte nisjen e trajtimit. Teknika mat ndryshimet e presionit në veshin e mesëm në reagimin ndaj tingujve.
Testimi i refleksit dëgjues nuk bëhet me ndërhyrje prandaj mund të kryhet pa rrezik te të porsalindurit. Mes keqfunksionimit të dëgjimit dhe autizmit, ka një lidhje të fortë që sugjeron se të porsalindurit me probleme duhet të monitorohen edhe për çrregullimin neuro-zhvillimor të autizmit.
Profesori i anatomisë Randy Kulesza në Pennsylvania, tha se shpreson që zbulimi të nisë procesin e monitorimit të të gjithë bebeve.
”Veçanërisht në jetën e hershme truri i njeriut është shumë plastik, që do të thotë se ndërhyrjet e hershme mund të trajtojnë rikuperimin e deficiteve”, tha ai.
”Personi mund të mos jetë neuro-tipik i përkryer, por ndërhyrja mund të përmirësojë funksionin”, u shpreh ai.
Fëmijët me autizëm kanë probleme me komunikimin, bashkëveprimin shoqëror dhe kanë tendencë për sjellje anti-sociale.
Por shumica e rasteve nuk konfirmohen deri në moshën katër vjeç dhe atëherë nisin dhe terapitë e korrigjimit, gjë që mund të reduktojë efektin e tyre. /ATSH