Autori i 70 librave mban ligjëratë tematike në UBT

Prishtinë | 25 Tet 2016 | 17:46 | Nga

Dijetari i shquar, profesor në universitetin amerikan “University of Nebraska – Lincoln” të SHBA-së, dr. Sang M. Lee, të martën, ka mbajtur në UBT një ligjëratë tematike, më temën “Inovationn Imperative in the Digital Age”.

I prezantuar nga rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, si “personaliteti që ka kontribuuar në transformimin e shkollave ekonomike në botë”, dr. Lee ka ligjëruar para stafit dhe studentëve të UBT-së.

Para fillimit të ligjëratës, rektori Hajrizi ka falënderuar profesorin Lee, ndërsa ka theksuar se UBT-ja po kontribuon fuqishëm dhe është lider në zhvillimin e arsimit në Kosovë. Sipas tij, kjo po arrihet falë shfrytëzimit të teknologjisë së re dhe metodave më inovative të edukimit dhe arsimimit.

“Qëllimi i UBT-së është që të bëjë bashkimin e ideve, për të krijuar gjëra të reja dhe inovative, në mënyrë që të rritet produktiviteti dhe të krijohen kuadro të suksesshme”, theksoi rektori Hajrizi.

Përfaqësuesi i Universitetit të Vlorës “Luigj Gurakuqi”, Jozef Bushati, ndërkaq, ka treguar për biografinë dhe jetën e profesorit Lee. Ai tha se dr. Lee rrjedh nga një familje intelektualësh, që ka dhënë kontribut të madh në fusha të ndryshme. Po ashtu vuri në pah se Dr. Lee është autor i 70 librave, të cilat shfrytëzohen nga universitetet më të mëdha botërore.

Profesori dr. Lee ka thënë të jetë ndier i lumtur kur gjatë kësaj vizite ka parë objektet dhe mësimin kualitativ që bëhet në UBT.

“UBT është një institucion shumë inovativ dhe qendër e inovacionit në Kosovë”, ka thënë ai, me bindjen se studentët e UBT-së, falë cilësisë së tyre, do të kenë të ardhme të ndritur.

Gjatë ligjëratës u trajtua çështja e zhvillimit teknologjik, inovacionit dhe modernizimit të shpikjeve të reja, por u fol edhe për shpikjet e mëhershme. “Zhvillimi i hovshëm teknologjik ka ndikuar rrënjësisht në digjitalizimin dhe mënyrën se si i shohim dhe i kuptojmë gjërat”, theksoi Lee.

Ai foli edhe për ndikimin e ndryshimeve demografike e industriale, për plakjen e popullatës, problemet e shkatërrimit të vendeve të punës nga përparimi teknologjik, çështjen e krijimit të vendeve të reja të punës, si problem në rritje në të gjitha vendet e botës, modelin e ri ekonomik në kohën digjitale, barazimin e eksploatimit dhe eksplorimit në fushën e ekonomisë, teknologjisë e inovacionit etj.

Dr. Lee tregoi shembuj praktikë të produkteve që ndryshuan botën, falë ideve inovative, të cilat sipas tij, janë bashkuar, duke krijuar ato që quhen produkte të së ardhmes së mençur (Products of a smart future). Në përfundim të ligjëratës, profesori iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve.

Do theksuar se dr.Lee ka botuar 70 libra, ka vizituar 70 vende, ku e ka dhuruar nga një libër të botuar, kurse librin e fundit ka pasur fatin ta pranojë Kosova, konkretisht UBT-ja.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme