Alibaba është një nga koncernet më të vlefshme të botës dhe tregtari më i madh në internet në Kinë. Por tani Alibaba duket se është bërë shumë e fuqishme për udhëheqjen komuniste dhe ajo ka nisur hetime.
“Praktika monopoliste” të mundshme: për këtë arsye, nisën në Kinë hetime kundër Alibaba-s. Kjo u njoftua nga autoriteti mbikqyrës përgjegjës në Pekin. Përveç kësaj, autoritet duan të “zhvillojnë bisedime” me menaxhuesit e kompanisë motër Ant. Ant është kompania e teknologjisë financiare që është ndarë nga grupi Alibaba.
Nuk u bë e ditur se për çfarë akuzohen saktësisht të dy kompanitë. Por një gjë është e qartë: konglomerati Alibaba është bërë padyshim shumë i fuqishëm për udhëheqjen komuniste. Përfundimi: Duke qenë se Kina nuk është shtet kushtetues, menaxhuesit e Alibabas duhet të presin që autoritetet ta ndëshkojnë kompaninë. Atë mund ta shkatërrojnë ose ta vendosin de facto nën kontrollin e udhëheqjes së shtetit.
Anulohet dalja më e madhe në bursë në histori
Alibaba u themelua në vitin 1999 nga mësuesi i atëhershëm Ma Yun, alias Jack Ma. Kompania me qendër në Hangzhou tani është bërë një nga kompanitë private më të fuqishme në Kinë. Me një vlerë tregu prej më shumë se 500 miliardë eurosh, Alibaba është një nga koncernet më të vlefshme në botë. Në Kinë, ajo ka dominuar në internet për vite me rradhë me markën e saj Taobao.
Kompania motër Ant është gjithashtu ofruesja kryesore e shërbimeve të pagesave. Në nëntor, themeluesi Jack Ma Ant kishte donte të dilte në bursë. Ishte planifikuar dalja më e madhe në bursë në historinë ekonomike botërore. Por disa ditë para listimit fillestar të planifikuar në Shangai dhe Hong Kong, Ant e anuloi daljen në bursë nën presionin e qeverisë komuniste.
Udhëheqja dërgon sinjale
Sipas analistëve, hetimet e nisura tani kundër Alibabas dhe Ant dërgojnë një sinjal të qartë: kushdo që bëhet shumë i sigurt në vetvete dhe shumë i fuqishëm ekonomikisht në Kinë atij qeveria i tregon vendin. Kreu i shtetit dhe partisë Xi Jinping ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur muajt e fundit që sektori privat në Kinë duhet të ndjekë me përpikmëri udhëzimet e Partisë Komuniste. Kjo kërkesë vlen për kompanitë nga njëra anë, por edhe për menaxherët më të lartë të kompanive nga ana tjetër.
Themeluesi i Alibabas, Jack Ma, nuk është parë në publik për javë të tëra. Agjencia e lajmeve financiare Bloomberg raporton se autoritetet kineze i kanë kërkuar Ma-së që të mos largohet nga vendi për momentin. Çmimi i aksioneve të Alibabas ra më shumë se tetë për qind përkohësisht për shkak të hetimeve.