Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka nisur një varg hetimesh, siç është ngritja e çmimeve të sigurimeve, ngritja e çmimit të çimentos dhe tenderëve në ministri të Shëndetësisë, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka kërkuar nga Banka Qendrore që ta marrë parasysh rekomandimin e tyre në ndryshimin e çmimeve në sigurime.
Ai foli edhe për ngritjen e çmimeve në testet serologjike, ku në një laborator çmimi për test ka kushtuar 200 euro. Ai tha se me këtë çmim janë bërë vetëm katër teste.
“200 ka ndodhur vetëm katër teste. Pra me vetëm katër teste është bërë gjithë ky reagim. Laboratori po i bënë mbi 98 për qind të testeve dhe jo më teste me mbi 200 euro që ka ndodhur për shkak të reagimit qytetarë dhe medial. Pra ne kemi konstatuar që nuk ka hapësirë për gjoba ndaj këtij laboratori”, tha ai.
Ahmet Krasniqi nënkryetar i AKK-së, tha se çmimi i çimentos është ngritur për 20%, duke shtuar se janë duke u marrë me hetimin e kësaj çështje.
“AKK-ja ka marrë një shqetësim nga ndëtuesit se çmimi i çimentos është ngritur për 20 për qind. Kështu që ne kemi marrë si detyrim që ta hetojmë ketë çmim dhe jemi duke punuar në këtë drejtim”.
“Një ngritje e çmimit prej 20 për qind mund të ndodh atëherë kur jemi në vlugun e ndërtimeve, por mendojmë se kjo ngritje ka ndodhur në kohë të gabuar. Do t’i ftojë të gjitha palët që kanë njohur që të marrim informata dhe të dalim më një vendim më meritor”, tha ai.
Hetim AKK-ja do t’i bëjë edhe Ministrisë së Shëndetësisë për tenderët në kohë të pandemisë. Fatime Haziri anëtare tha se hetimet do të bëhen në kohën kur tenderët janë nënshkruar në kohë të pandemisë, raporton EO.
“AKK-ja ndër të tjera është duke e monituar lëndët ne MSh-ja të cilët janë nënshkruar në fillim të pandemisë. Dje na është prezantuar nga inspektorët një raport preliminar dhe kemi vendosur që ta hetojmë rastin e tenderëve”.
“Andaj ne si AKK kemi udhëzuar inspektorët që t’i ndjek pistat e mundshme që ta hetojmë këtë rast”, tha ajo.