Rruga për Shkup u është zgjatur kaçanikasve. Shoferët u japin makinave nja dhjetë kilometra shtesë nëse nuk e rrahin rrugën e vjetër.
Të dy rrugët zgjaten përgjatë luginës së Lumit Lepenc dhe faqeve të Bjeshkëve të Sharrit e të Karadakut. Qytetarët e këtyre anëve kanë lidhje të shumta farefisnore me shqiptarët matanë kufirit me Maqedoninë Veriore. Edhe ata që dikur ndaleshin për ndonjë pije freskuese dhe i hidhnin një sy qytezës buzë grykës, tani kalojnë fluturimthi ndanë saj. Traseja e autostradës shtrihet përgjatë kodrave në anën perëndimore, shkruan sot Koha Ditore.
Ka disa qyteza që janë prekur ekonomikisht prej ndërtimit të autostradave. Megjithëse nuk ka ndonjë studim të veçantë për efektet pozitive ose negative të autostradave në bizneset lokale, pakkush kalon sot nëpër Lipjan, Shtime e Suharekë kur shkon nga kryeqyteti në Prizren a Shqipëri. Të njëjtin fat e ka edhe Kaçaniku. Deri diku edhe Hani i Elezit, në dalje të të cilit këputet “Arbën Xhaferi” para se të lidhet me rrugën e vjetër para pikës kufitare me fqinjin jugor. Përgjatë këtyre rrugëve kishte disa pika që ishin kthyer thuajse në domosdoshmëri për t’u freskuar, si në grykën e Carralevës a në Qafën e Duhlës. Vetëm një burrë i thinjur po qëndronte anash tezgës së drunjtë me gajbe rrushi në një ditë me diell messhtatori. Dy duart, lidhur prapa kohës. Disa kilometra larg tij, Xhaviti tregon se më vonë po del te kamioneta-tezgë te kroni në Luzhnicë të Suharekës. Të rralla janë makinat që ndalen. “Nuk i kam pas në friz, por nata e freskët këtu e janë të ftohta”, thotë Xhaviti, teksa zgjatet të nxjerrë tri pije brenda kamionetës. Nuk e tregon mbiemrin.
Ankesa të ngjashme kanë edhe dyqanxhinjtë në Carralevë.