Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) mbajti konferencën vjetore dhe ceremoninë e lansimit të Programit “Akademia për Qeverisje Lokale (LGA) – Gjenerata e Gjashtë,”
Ngjarja ishte pjesë e angazhimit të Institutit KLGI për të nxitur dhe promovuar zhvillimet për arritjen e objektivave të reja në nivelin lokal.
Drejtori Ekzekutiv i këtij instituti, Besnik Tahiri, duke uruar vijuesit e kësaj gjenerate, theksoi se KLGI-ja do të mbetet e përkushtuar që së bashku me partnerët, të promovojë, avancojë edhe më tutje zhvillimin e qëndrueshëm të komunave, si rruga e vetme e konsolidimit demokratik dhe ecjes drejt integrimit evropian, raporton Ekonomia Online.
Në fjalën e tij, ai ndau dy konstatime, si mesazh për komunat dhe zyrtarët pa përjashtim. “Vetëm një qeverisje lokale e fortë mund të rris kredencialet e një shteti funksional dhe demokratik. Dhe aspirimi në familjen evropiane nuk mund të arrihet pa i bërë themelet e forta në nivelin lokal”.
Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili merrte pjesë në këtë ngjarje, tha se shteti demokratik ndërtohet me një qeverisje të mirë lokale, qëllimi i së cilës duhet të jetë përmirësimi i jetesës dhe mirëqenies së qytetarëve.
“Siç e dini, Kushtetuta jonë parasheh ndërtimin demokracisë e nivelit lokal deri në nivelin qendror. Dhe praktikisht kjo shkollë ka promovuar metodat e reja të qeverisjes lokale duke e promovuar politikat e mira publike, duke treguar se pushteti lokal nuk është pushtet burokratik, por është një pushtet në shërbim të qytetarëve”, tha Bajrami.
Per Strand Sjaastad, ambasador i Norvegjisë, tha se për të arritur një reformë të suksesshme në qeverisjen komunale, duhet një konsensus gjithëpartiak.
Prezent në këtë ngjarje ishin edhe partnerë të KLGI-së, kryetarë të komunave, përfaqësues të ministrive të linjës, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, LGA Alumni, media dhe studiues të qeverisjes lokale.
Përmes një dokumentari u prezantua edhe programi i avancuar i trajnimit për zyrtarët e nivelit lokal, si formë e familjarizimit të gjeneratës së gjashtë me aktivitetet, qëllimet dhe impaktin e programit LGA.
LGA është rrjet i madh i zyrtarëve komunalë, program i avancuar trajnues ku përfshin ligjërata, sesione trajnimi, shkëmbim përvojash, seminare dhe diskutime në interes të aktorëve lokalë.