Avancon në Kongresin amerikan Ligji për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginë

Prishtinë | 21 Jan 2026 | 21:58 | Nga Ekonomia Online

Organizata “Albanians For America” (AFA) ka njoftuar se Ligji për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës ka avancuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, duke u cilësuar si një hap i rëndësishëm drejt llogaridhënies dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve etnikë në jug të Serbisë.

Sipas njoftimit, legjislacioni obligon Sekretarin amerikan të Shtetit që të përgatisë një raport gjithëpërfshirës mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Raporti do të shqyrtojë çështje kyçe si pasivizimi i adresave të shqiptarëve, i cili kufizon qasjen në dokumente identifikimi dhe të drejtën e votës; kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike; mungesën e përfaqësimit proporcional në organet shtetërore; diskriminimin në arsim, përfshirë mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe; neglizhencën ekonomike përmes financimit të pabarabartë nga shteti; si dhe intimidimin përmes praktikave të organeve të rendit”, u tha në njoftimin e AFA-s.

Po ashtu, sipas njoftimit, ligji adreson shtypjen e simboleve kulturore dhe sfidat që lidhen me qëndrueshmërinë afatgjatë të jetës së shqiptarëve në këtë rajon.

AFA thekson se ky zhvillim është rezultat i partneritetit të ngushtë me kongresistin Keith Self, i cili ka qenë mbështetës kryesor i nismës. “Përmes angazhimit të vazhdueshëm, hulumtimit dhe punës në Capitol Hill, kemi bashkëpunuar ngushtë me zyrën e tij për të siguruar që shqetësimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të njihen zyrtarisht nga Kongresi amerikan”, thuhet në njoftim.

Organizata shpreh mirënjohje edhe për Brian Mast, kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Gregory Meeks, anëtarin më të lartë të opozitës në këtë komitet, si dhe për anëtarët e tjerë, për mbështetjen dhe përkushtimin në avancimin e të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike në Ballkanin Perëndimor.

Pas miratimit në komitet, projektligji do të dërgohet për votim në Dhomën e Përfaqësuesve. Nëse miratohet, ai kalon në Senatin amerikan. Në rast se Senati miraton të njëjtin version, ligji i dërgohet Presidentit për nënshkrim; ndërsa nëse ka ndryshime, një komision i përbashkët Dhomë–Senat do të harmonizojë tekstin përpara miratimit përfundimtar.

Nëse ligji hyn në fuqi, Departamenti Amerikan i Shtetit do të obligohet që brenda 180 ditësh të raportojë para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, duke i ngritur këto shqetësime për të drejtat e njeriut në nivelet më të larta të vendimmarrjes së politikës së jashtme të ShBA-së.

Të ngjashme