Avdullah Hoti, deputet i LDK-së, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se ndarja e buxhetit për RTK-në në fillim të vitit 2021 ka qenë plotësisht ligjore.
Sipas Hotit, buxheti i vitit 2021 ishte i miratuar dhe vendimi i Qeverisë ka përfshirë hapat e nevojshëm deri në vendimin e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa.
Ai e konsideron deklaratën e Kurtit si një tentim për mashtrim të opinionit.
“Ndarja e buxhetit për RTK-në në fillim të vitit 2021, kur ende nuk ishte konstituuar Kuvendi, ka qenë plotësisht ligjore. Buxheti i vitit 2021 ka qenë i miratuar. Vendimi i atëhershëm i Qeverisë ka paraparë hapat që duhej të ndiqeshin deri në vendimin e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa. Kështu që, deklarimi i sotëm i Kurtit lidhur me atë vendim është tentim për mashtrim të opinionit”, shtoi ai.