Zgjedhjet e 11 qershorit të cilat do të mbahen në Kosovë kanë bërë bujë edhe në mediat e Serbisë, të cilat po i bajnë analizat se cili kandidat për kryeministër është më pak i keq për shtetin serb.
Telegrafi i Serbisë në një raport ka analizuar qëndrimet e Ramush Haradinajt, Albin Kurtit dhe Avdullah Hoti në lidhje me krijimin e Asociacionit, dialogut, dhe krijimin e Ushtrisë së Kosovës.
“Në një tubim dy ditë më parë Haradinaj tha se në qoftë se ai do të jetë kryeministër, Kosova nuk do të ketë Bashkësi të komunave serbe. Ai më 16 tetor i bëri thirrje qeverisë që të tërhiqet nga dialogu, deri në njohjen reciproke, e jo të diskutohen temat e brendshme të Kosovës. Kurse, partia e tij beson se ndryshimet kushtetuese në lidhje me transformimin e FSK-së duhet të bëhen këtë vit”, thuhet në analizën e kandidatit të koalicionit PDK-AAK-Nisma.
Për Haradinajn përdoret një gjuhë më e ashpër, ku ai disa herë etiketohet si kriminel lufte.
Me tone më të zbutura, është shkruar për kandidatin e LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti.
“LDK beson se bashkësia e komunave me shumicë serbe duhet të formohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Qëndrimi i partisë së tij për dialogun është për normalizimin e marrëdhënieve duhet të ndryshohet, në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve të arritura. LDK beson se Ushtria duhet të formohet vetëm në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në analizën e Telegrafit serb.
Në raport janë të paraqitura edhe qëndrimet më të ashpra të Vetëvendosjes për dialogun dhe formimin e Asociacionit.
“Vetëvendosja konsideron se krijimi i asociacionit legalizon ndarjen e Kosovës, asociacioni duhet të krijohet vetëm brenda serbëve të Kosovës dhe kjo të kontrollohet nga institucionet e Kosovës. Kjo parti beson se dialogu duhet të reformohet dhe se qëndrimet e Kosovës në dialog duhet të jenë me koncesus kombëtar. Ata besojën se dialogu e ka forcuar ndikimin e Serbisë në Kosovë. Albin Kurti gjithashtu beson se Kosova ka nevojë të mbajë një partneritet me NATO-n për krijimin e Ushtrisë. Por pasi është problematike të sigurohen votat e pakicave, edhe Kurti propozi ndryshimet kushtetuese”, bëhet e ditur nga mediumi serb.
“Kur të shikohet e gjithë ajo që është theksuar, krijohet përshtypja se zgjedhja më pak e keqe për serbët dhe Serbinë do të ishte kandidati i ashtuquajtur i opsionit qytetar (Avdullah Hoti), pasi që ka qëndrime me të matura për dalllim nga krimineli Haradinaj dhe djathtisti Kurti”, është përfundimi i Telegrafit serb.
Se cili do të jetë kryeministri i Kosovës, pritet të vendoset më 11 qershor ku qytetarët do të bëjnë zgjedhjen e tyre.