Një fundjavë dedikuar sporteve ajrore, kulturës dhe argëtimit mblodhi në Gjirokastër në eventin “UpFest” parashutistë profesionistë, turistë e të apasionuar pas aventurës.
Pesë vite pas vendosjes së blloqeve të betonit, Gjirokastra historike riçeli dyert e aerodromit të saj në nivel sportiv për më shumë se 100 sportistë shqiptarë dhe të huaj, që dhuruan spektakël në qiellin e Gjirokastrës prej orëve të para të mëngjesit.
Eventi synon të tërheqë më së shumti vëmendjen e turistëve vendas, ndërsa për përfaqësuesit e aeronautikës shqiptare ky aerodrom plotëson të gjitha kushtet për zhvillimin e aktiviteteve të tilla sportive duke synuar kthimin në një shkollë aeronautike.
Ngjarja festive që përfshin shëtitje me balonë, paramotors, modele të ndryshme fluturimi, aeroplanë dhe muzikë, do të vijojë përgjatë gjithë fundjavës me aktivitete që do të mbulojnë ditët dhe netët në qytetin e gurtë që edhe këtë fillim tetori po shënon një bum turistik.