Mungesa e të gjithë mbrojtësve në gjykatore, ka bërë që të dështojë gjykimi ndaj ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ku me të po akuzohen edhe ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha dhe katër të akuzuar tjerë lidhur me dyshimet për keqpërdorime në rastin e tenderit për sigurimin fizik në KEK.
Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka deklaruar se të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve e kanë arsyetuar mungesën e tyre me vendimin e marrë më 8 janar nga Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK), sipas të cilit vendim avokatët e bojkotojnë punën e gjykatës deri në marrjen e një tjetër vendimi.
Ndryshe, fillimisht është konstatuar edhe mungesa e prokurores speciale Florije Shamolli, për të cilën u tha se është e pranishme në gjykatë, por në një gjykim tjetër i cili është me paraburgim dhe se ka arsyetuar mungesën e saj. Mirëpo, më pas e njëjta është paraqitur në sallë.
Në mungesë të kushteve ligjore, ky gjykim është shtyrë dhe pritet të mbahet më 11 mars, me fillim nga ora 9:00.
Mbrojtësi i Sami Lushtakut, avokati Arianit Koci një ditë më parë kishte thënë për “Betimi për Drejtësi” se do ta respektonte vendimin e Odës së Avokatëve të Kosovës.
Ndryshe, më 8 janar, Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), ka njoftuar se nga 9 janar 2018 do të hyjnë në bojktot të përgjithshëm në të gjitha gjykatat, prokuroritë de policitë deri në tërheqjen e urdhëresës dhe rekomandimit nga KGJK.
Urdhëresa dhe rekomandimi i KGJK-së ka të bëjë lidhur me kufizimin e avokatëve dhe palëve të tjera në objektet e gjykatave pa ftesë ose pa leje të kryetarit të gjykatës përkatëse.
“Këshilli Drejtues i OAK më datë 05.01.2019 në mënyrë unanime ka vlerësuar që Urdhëresa e Gjykatës Themelore në Prizren e datës 08.08.2018 dhe rekomandimi i KGJK-së i datës 27.12.2018 paraqesin shkelje themelore të parimit të qasjes në drejtësi dhe si të tilla janë të papranueshm. Këshilli Drejtues ka kërkuar që Urdhëresa dhe Rekomandimi të tërhiqen më së voni deri sot më datë 08.01.2019.”, thuhej në këtë njoftim.
Tutje, thuhej se mos prezenca e avokatëve nuk do të ketë pasoja juridike për avokatët dhe palët dhe se vendimet e Këshillit Drejtues të OAK-së janë të obligueshme për Avokatë.
Ky proces gjyqësor më herët ishte duke u gjykuar nga EULEX-i, por Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), më 27 shtator të vitit të kaluar kishte aprovuar kërkesën e EULEX-it që rasti “KEK 2”, t’i delegohet gjyqtarëve vendorë, të cilin vendim Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte pranuar vetëm pas dy jave.
Në shkurt të vitit 2016, para trupit gjykues, të kryesuar nga gjykatësi Vladimir Mikula, gjithë të pandehurit ishin deklaruar të pafajshëm.
Në këtë rast hetimet kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërkaq aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.
Sipas aktakuzës, në tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen tashmë ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar të tjerë.
Shtatë të pandehurit, akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut. Në këtë proces gjyqësor, Sami Lushtaku është i ngarkuar me veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha, akuzohen për “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku në bashkëkryerje akuzohen për “mashtrim” dhe “falsifikimit të dokumenteve’’, Driton Pruthi për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “lidhje e kontratës së dëmshme” dhe i pandehuri i fundit, Azem Duraku për veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”.
Prokuroria pretendon se sjellja e paligjshme e të pandehurve të lartcekur, ka rezultuar me dhënien e kontratës kompanisë së sigurimit “Security Code”, e cila ka ofertuar si pjesë e konsorciumit me kompaninë “ËDG”. Kontrata në fjalë ishte për periudhën dy vjeçare, në shumë prej 6, 182, 609.76 euro, shumë kjo për të cilën pretendohet se është dëmtuar KEK-u.