Dosjet e dorëzuara në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat pretendohet të jenë të dokumente të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, sipas avokatëve kanë dëmtuar besueshmërinë në këtë gjykatë, por edhe imazhin e Kosovës.
Derisa avokati, Arianit Koci tha se me daljen e këtyre dokumenteve besueshmëria mund t’i humbë Kosovës në rrafshin ndërkombëtar edhe pse për konsum të brendshëm dikujt kjo mund t’i duket atraktive, në anën tjetër, Qerkini në një prononcim për Telegrafin tha se është luhatë besimi në Gjykatën Speciale.
“Dikujt mund t’i duket se është dëmtuar besueshmëria e Gjykatës Speciale, por besoj që do të ndodh e kundërta: do të dëmtohet kredibiliteti i Kosovës. Në fakt, për konsum të brendshëm, kjo dikujt mund t’i duket atraktive, por ne planin ndërkombëtar nuk lë përshtypje të mirë krejt kjo që po ndodh. Kjo situatë i shkon për shtati përkrahësve të idesë se në Kosovë kërcënohen dëshmitarët e mbrojtur”, ka thënë Koci.
Kurse, sipas Qerkinit, për besueshmërinë e kësaj gjykate duhet të pritet për të parë se a do të përdoren ato dokumente për procedime penale.
Qerkini tha se Gjykata Speciale nuk mund të marr vendime bazuar në dokumentet e prodhuara në Serbi, duke ditur qëndrimin e këtij shteti ndaj Kosovës.
“Po gjithsesi që është luhatë besimi në gjykatën Speciale, mirëpo pritet të shihet se këto prova të cilat i kanë në posedim veteranët e UÇK-së, a do të përdoren për procedime penale apo jo. Nëse përdoren për procedime penale, atëherë me të vërtetë konsideroj se proceset gjyqësore nuk mund të konsiderohen kredibile, sepse dihet qëndrimi i shtetit Serb karshi Kosovës, dhe për rrjedhojë ne nuk mund të themi se shteti serb ka prodhuar dokumente kredibile, në të cilat gjykata mund t’i mbështesë veprimet apo vendimet e saja”, u shpreh Qerkini.
Sipas Kocit, humbësit më të mëdhenj në këtë proces do të jenë të akuzuarit potencial të kësaj gjykate, kurse ai tha se në këtë rast OVL e UÇK-së është e manipuluar.
“E dini se është krijuar një gjykatë me gjyqtarë dhe prokurorë të huaj, me hetues dhe staf administrativ të huaj. Madje edhe përkthyesit janë të huaj. Për mua kjo është e papranueshme. Po zhvillohet një luftë speciale ndaj Gjykatës Speciale, për arsye që unë nuk i di. OVL në këtë rast është e manipuluar – është viktimë. Në fakt, humbësit më të mëdhenj do të jenë të akuzuarit potencial”, tha Koci.
Ndërkaq, sa i përket publikimit të këtyre dokumenteve, avokati Qerkini ka thënë se nëse publikohen dokumente të cilat janë të klasifikuara nga Gjykata Speciale, atëherë kjo është vepër penale.
Në anën tjetër, Qerkini sqaroi se një veprim i tillë nuk konsiderohet vepër penale nëse dokumentet janë të klasifikuara nga prokuroria serbe, pasi klasifikimi i dokumenteve nga prokuroria serbe nuk e obligon askënd në Kosovë.
“Këtu duhet ta kemi të qartë, ndalohet që të publikohen dokumente të cilat janë të klasifikuara, mirëpo klasifikimin e atyre dokumenteve duhet ta bëjnë Dhomat e Specializuara apo Zyra e Prokurorit të Specializuar. Mirëpo nëse këto dokumente janë të klasifikuara si sekrete nga prokuroria serbe, ky klasifikim nuk e obligon askënd në Kosovë. Nëse kemi të bëjmë me dëshmitarët e mbrojtur, deklarata e tij është e klasifikuar, edhe identiteti i tij është i klasifikuar”, tha Qerkini.
Edhe Koci tha se i ka udhëzuar të gjithë ata që e kanë pyetur që të mos publikohen emrat e dëshmitarëve, pasi është vepër penale, dhe se siç tha Koci, lufta e fundit është fakt që shteti serb ka kryer krime, e kjo betejë duhet të fitohet në gjykatë.
“Çdo gazetar/e që me ka pyetur e kam udhëzuar që në asnjë mënyrë mos të publikohen emrat e dëshmitarëve për shkak se është vepër penale. Për më tepër, në luftën e fundit, është fakt notor që ish-pushteti serb ka kryer krime lufte në Kosovë. Prandaj, betejën do ta bëjmë dhe do ta fitojmë aty ku duhet: në gjykatë”, tha Koci.
Ndryshe, për afro tri javë OVL e UÇK-së tri herë ka pranuar disa dokumente, që pretendon se kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë. Përmbajtja e këtyre dokumenteve nuk është e qartë dhe nuk dihet nëse ato janë origjinale.
Identiteti i personit, i cili, sipas OVL-së, ka dërguar në këtë organizatë “mijëra dosje me dëshmi dhe emra dëshmitarësh”, vazhdon të jetë anonim.