Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është paraqitur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin e rastit të njohur si “Syri i Popullit”, ndaj të akuzuarve për vepra penale kundër rendit kushtetues, raporton Ekonomia Online.
Presidenti Thaçi, në këtë rast ka cilësinë e të dëmtuarit. Por, kjo seancë më pas është mbyllur për publikun me kërkesë të prokurorit Sylë Hoxha.
Pas përfundimit te seancës, mbrojtësi i të akuzuarit Sadri Ramabaja, avokati Ramiz Krasniqi, ka kërkuar përjashtimin e trupi gjykues si dhe prokurorit Sylë Hoxha nga gjykimi në rastin e njohur si “Syri i Popullit”.
Ai ka thënë se kërkesën me shkrim do t’ia paraqes kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi sipas tij, nuk do të duhej të lejohej një deklarim i tillë i presidentit Thaçi.
“Duke pasur parasysh se si dëshmitari paraqitet në rolin e prokurorit dhe gjykata e lejon këtë duket se prokurori i koordinon të gjitha këto pyetje, e pamë të udhës që të bëhet një hap përpara që drejtësia në Kosovë të jep provimin edhe para të tjerëve, të ndërrohet ky trup gjykues, të ndërrohet prokurori dhe të procedohet”, tha Kransiqi.
Nasuf Krasniqi, avokat i Azem Vllasit, tha se Presidentit i është dhënë mundësia e pakufizuar në këtë rast dhe se ai ka parashtruar pyetje në cilësinë e prokurorit dhe në emër të të gjithë të dëmtuarve të tjerë
“S’ bashku kemi kërkuar përjashtimin e trupit gjykues dhe prokurorit, meqenëse ka ardh një i dëmtuar në këtë rast ka qenë presidenti i vendit. Për të parashtruar pyetje, por edhe i është dhënë mundësia e pakufizuar në këtë rast ka parashtruar pyetje në cilësinë e prokurorit dhe në emër të të gjithë të dëmtuarve të tjerë detaje të tjera s’mund të shpalosim, por janë dhënë disa vërejte dhe kritika avokatëve pa u specifikuar cili avokat në një farë mënyre ka fol në disfavor të të mbrojturve të tyre dhe kjo ka qenë arsye pse ne kemi kërkuar përjashtimin e trupit gjykues”, tha Krasniqi, raporton EO.
Naim Rudari, avokat i Avni Llumnicës, ka thënë se vërejtjet që i kanë pasur i kanë shpalosur para trupi gjykues dhe kanë kërkuar që edhe dëshmitarit, këtë rast Presidentit t’i tërhiqet vërejtja.
” Ne patëm disa vërejte të cilat i ka pohuar dëshmitari në këtë rast presidenti i vendit Thaçi duke pasë parasysh se jam avokati i palës së dëmtuar e kam parë një lloj tendence të diskretimit të avokatëve nga ky dëshmitarë prandaj edhe kam kërkuar nga gjykata që këtij dëshmitari t’i tërhiqet vërejtja për shkak se neve jemi profesionist”.
Në këtë rast akuzohen Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana.