Avokati Emmerson thotë se s’ka më prova për paraburgimin e Kadri Veselit

Prishtinë | 05 Jan 2023 | 19:21 | Nga Ekonomia Online

Ben Emmerson, avokat i ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, është shprehur i indinjuar me faktin se klienti i tij ka dy vite që është në paraburgim, dhe ende ish-gjyqtari i Procedurës Paraprake, tani Trupi Gjykues nuk po vendosin për mbrojtjen në liri të tij.

Në një parashtresë, formë kundërpërgjigje ndaj Prokurorisë së Specializuar, të cilën e ka parë lajmi.net, Emmerson ka rikujtuar dispozitat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila sipas Emmerson thekson se graviteti i veprës së supozuar nga organi i akuzës si dhe kohëzgjatja e mundshme e dënimit, nuk ndërlidhet, apo nuk është bazë e mjaftueshme për të vazhduar paraburgimin.

“Së pari, sa i përket pretendimit se z. Veseli akuzohet për dhjetë pika, Mbrojtja rikujton jurisprudencën e GJEDNJ-së sipas së cilës, me kalimin e kohës, graviteti i veprës së supozuar dhe kohëzgjatja e mundshme e dënimit nuk janë bazë e mjaftueshme për të vazhduar paraburgimin”, thekson Emmerson.

Tutje, avokati britanik, ka thënë se Veseli s’ka të bëj asgjë me kompleksitetin e çështjes, pasi që kjo determinohet nga prokuroria.

Ai tha se Veseli s’e ka asnjë përgjegjësi pse Prokuroria ka vendosur të mbështetet në 300 dëshmitarë e 18 mijë faqe prova të pretenduara.

“Së dyti, kompleksiteti i çështjes vendoset nga autoriteti akuzues. Z. Veseli nuk mund të mbahet përgjegjës për qëllimin e Prokurorisë për t’u mbështetur në treqind dëshmitarë dhe tetëmbëdhjetë mijë prova”, tha ai.

Tutje avokati tha se kalimi i dy viteve në paraburgim, është faktor që tregon se rreziqet e pretenduara në fillim të vazhdimisht të paraburgimit, nuk ekzistojnë apo janë fare të ulëta.

“Prokuroria nuk arrin, si në parashtresat e saj origjinale ashtu edhe ato plotësuese, të paraqesë ndonjë provë të re në mbështetje të pretendimit të saj për ekzistencën e rrezikut të pengimit në procedurë. Në vend të kësaj, ajo thjesht përsërit të njëjtat argumente që u përdorën për të justifikuar paraburgimin e z. Veseli më shumë se dy vjet më parë. Mbrojtja kujton se me kalimin e kohës kërkohen arsye të tjera për të justifikuar paraburgimin dhe se mungesa e ndonjë zhvillimi të mëtejshëm tregon se rreziku fillimisht i identifikuar është bërë më spekulativ dhe me më pak peshë. Në mënyrë që status quo-ja të ruhet, rreziku duhet të rritet me kalimin e kohës në mënyrë që të balancohet pesha më e madhe që interesi i lirisë fiton me kalimin e kohës”, thotë avokati Emmerson.

Ndryshe, Veseli tash e dy vite gjendet në paraburgim në Hagë nën akuzat për krime lufte.

Çështja i ka kaluar tashmë gjykatës, është caktuar Trupi Gjykues e gjykimi pritet të fillojë në mars, për të zgjatur disa vite.

Të ngjashme