Avokati i presidentit turk, Hussein Aydin ka komentuar arrestimin dhe deportimin e shtetasve turq nga Kosova.
Duke i cilësuar si të rrezikshëm, Aydin ka thënë se aksione për arrestimin e gylenistëve do të vazhdojnë edhe më tutje.
Në një intervistë për TRT, Aydin deklaroi se operacioni në Kosovë nuk është i pari, por as i fundit.
“Shërbimi Informativ Kombëtar do të vazhdojë operacionet e tij kudo. Operacioni i realizuar në Kosovë nuk ishte i pari dhe pjesëtarët e lëvizjes së Fethullah Gylenit nuk kanë ku të arratisen”, tha avokati i Erdoganit, transmeton lajmi.net
Aydin tutje tha se anëtarët e lëvizjes së Gylenit do të ndiqen sipas ligjit penal në Turqi.
“Ne kemi disa objektiva. Brenda disa muajve, anëtarët e organizatës ne synojmë t’i ndalojmë, dhe t’ua thyejëm shpresat. Ata janë të ekspozuar ndaj ndjekjes penale”, tha avokati turk.
Ndryshe Kosova u bë vendi i parë në Evropë që ia dërgoi Erdoganit “gylenistët”.
Kjo pasoi me shkarkimin e ministrit të brendshëm dhe drejtorit të AKI-së.
Ndaj këtyre vendimeve reagoi Erdogan, i cili e kërcënoi kryeministrin Haradinaj se do të japë llogari.