Avokati i Popullit për vitin 2023: Ka rënie të përgjigjeve nga autoritetet

Prishtinë | 24 Dhj 2024 | 12:07 | Nga Diellza Gashi

Rënia e përgjigjeve nga autoritetet publike, mos votimi i raportit të vitit 2022 në Kuvendin e Kosovës, trajtimi i rasteve të qytetarëve me prioritet kanë qenë disa nga elementet e përmendura në konferencën e fundvitit të Institucionit të Avokatit të Popullit, raporton Ekonomia Online.

Ai ka përmendur digjitalizimin dhe bazën e re të menaxhimit të rasteve, si ndihmesë për procesin e punës dhe për arkivim cilësor.

“Nga statistikat që ne i kemi, ka një rënie të përgjigjeve nga autoritetet dhe kjo tregon një jo seriozitet dhe qasje jo të duhur në raport me institucionin e Avokatit të Popullit dhe me vet kërkesat e qytetarëve që ne i trajtojmë. E dyta është niveli jo i kënaqshëm i zbatimit të rekomandimeve, ky nivel mund të jetë edhe barometër i respektimit të të drejtave të njeriut dhe qasjes që kanë me të drejtat e garantuara të qytetarëve. Ka munguar një mbikëqyrje parlamentare dhe një qasje më pro aktive e autoritete publike”, ka thënë Avokati i Popullit, Naim Qelaj

“Votimi kundër nga Kuvendi i Kosovës për raportin e vitit 2022, aty pa diskutim dhe pa e vlerësuar fare raporti është votuar kundër si një tendencë për ta kërcënuar dhe cënuar pavarësinë e punën e institucionit të Avokatit të Popullit. Praktikat e tilla duhet të mos ndodhin në të ardhmen dhe konsiderojmë që kjo ka qenë një nga veprimet që i ka shkaktuar dëm demokracisë së vendit dhe respektimit të të drejtave të njeriut”, ka thënë më tutje ai.

“Ka qenë një nga vitet më të suksesshme, së paku prej se jam në mandat. Suksesin e mati me trajtimin e rasteve, sidomos me ankesat individuale të qytetarëve, të cilat kemi tentuar t’i trajtojmë në kohë sa më të shpejtë”, ka vlerësuar Qelaj.

Zëdhënësi për media në këtë institucion, Petrit Çollaku, ka dhënë detaje për ankesat e pranuara nga qytetarët gjatë vitit 2024.

“Ankesat e qytetarëve kryesisht janë bërë ndaj autoriteteve publike dhe janë 440 ankesa që janë bërë ndaj ministrive dhe administratës, 419 raste ndaj gjykatave, 210 ankesa ndaj komunave, 89 ndaj policisë, 60 ankesa ndaj prokurorive, 42 ndaj ndërmarrjeve publike, një ankesë mund të ketë më shumë se një palë”, ka thënë ai gjatë konferencës.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka pasur 241 raste të mbyllura me raport, 39 raste të papranueshme për institucionin, 33 raste janë të mbyllura për mos interesim të ankuesit, ndërkaq 8 janë të papranueshme për shkak se janë jashtë juridiksionit.

Të ngjashme