Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka raportuar para Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me raportin vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2017.
“Ne e kemi dorëzuar raportin në dhjetor të vitit 2017, sipas afatit kohor. Ky raport ka përfshirë situatën për të drejtat e njeriut. Ne kemi trajtuar problemet ligjore në Kuvend në funksionimin e sistemit gjyqësor në Kosovë, gjithashtu funksionimin e administratës publike”, tha Jashari, raporton Ekonomia Online.
“Për këto 3 vitet e fundit kemi parë një numër të vogël të ligjeve të cilat janë miratuar. Nuk ka asnjë proces në Kuvendin e Kosovës që është përkrahur e që merret në harmonizimin e ligjeve. Nuk kemi reforma të cilët i referohen në nivel nacional”, shtoi Jashari.
Ai tha se duhet të bëhet një ligj përmes të cilit qytetari kompensohet për zgjatjen e rastit gjyqësor.
“Sa i përket funksionimit të sistemit gjyqësor, kemi pasur shumë probleme në vendimet që janë marrë. Mesatarisht një lëndë e një qytetari zgjat 8 vite dhe kjo është kohë shumë e madhe. Një problem tjetër është respektimi i të drejtave të njeriut. Qytetarët nuk kompensohen për shkeljet e të drejtave të tyre. Ne kemi kërkuar një rekomandim të Këshillit Gjyqësor që të bëhet një ligj që kompensohen qytetarët të cilët humbasin nga zgjatja e rasteve nga gjykata”.
Frashër Krasniqi nga Grupi i Pavarur i Deputetëve (GDP) lidhur me deklaratat e deputetes Miljana Nikoliq se të drejtat e serbëve po shkelen, tha se qasja e Listës Serbe gjatë gjithë kohës bëhet duke u bazuar në etni.
“Institucioni i Avokatit të Popullit është ndër institucionet më të paanshme në Kosovë. Për mua problematike është se Lista serbe duhet të përcaktohet nëse duan të integrohen serbët në Kosovë. Është e pakuptimtë se si ka një reagim të madh vetëm kur ka të bëjë me serbët. Për mua shkelje e të drejtave të njeriut bëhet për komunitetit rom, e jo në komunitetet e tjera. Unë jam kundër kësaj qasjeje në këtë rast, sepse mendoj që puna e Avokatit të Popullit nuk duhet të orientohet duke u bazuar në çështje etnike. Ajo çka po bën Lista Srpska është që po e bën të pamundur integrimin e serbëve, sepse çdo çështje po e trajton në aspektin etnik”, theksoi Krasniqi.
Albulena Balaj-Halimaj tha se ekziston problem në harmonizimin e ligjeve për institucione.
“Ne duhet të kemi një institucion që merret me harmonizimin e ligjeve për institucionet e Kosovës. Ka qaq shumë ligje që nuk harmonizohen, saqë kur fillon institucioni me punu nuk din me cilin ligj me punu”, tha ajo.