Avokatit i Popullit ka thënë se e ka vërejtur se procesi lidhur me hidrocentralet në vend është përcjellë me mangësi të vazhdueshme sa i përket aspektit procedural tredimensional, qasjes në informata, pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe qasjes në drejtësi.
“Avokati i Popullit, duke marr parasysh ndikimin e hidrocentraleve në mjedis, mangësitë lidhur me respektimin e së drejtës së qytetarëve për qasje në informata, të drejtë së pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe qasjes në drejtësi, si dhe pakënaqësitë e qytetarëve, dhe shoqërisë civile, nëpërmjet raportit kërkon vëmendjen e shtetit që t’i balancojë interesat publike me ato ekonomike, duke vlerësuar me kujdes interesin në mes të rëndësisë së prodhimit të energjisë nëpërmjet hidrocentraleve në vend në raport me ndikimin në mjedis që mund të jetë i rëndë dhe i pariparueshëm”.
Këto thuhen pas disa ankesave për hidrocentrale në Deçan dhe Shtërpcë, të cilat i janë drejtuar e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.
“Raporti ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, të Komunës së Deçanit, të Komunës së Shtërpcës dhe të autoriteteve të tjera kompetente për publikimin e dokumentacionit lidhur me ligjshmërinë e hidrocentraleve në vend, respektimin e procedurave të pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, dhe qasjes në drejtësi”.
“Raporti jep rekomandime specifike dhe konkrete që Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, komuna e Deçanit dhe e Shtërpcës, të bëjnë publike tërë dokumentacionin lidhur me operimin e hidrocentraleve në Deçan dhe në Shtërpcë, si dhe Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës të ndërmarrin masa që rastet që lidhen me hidrocentralet t’i trajtojnë me prioritet, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.