Avokati i Popullit thotë se gjykatat janë shkelësit kryesorë të të drejtave të njeriut

Prishtinë | 25 Dhj 2019 | 18:12 | Nga Ekonomia Online

Avokati i popullit, Hilmi Jashari, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se shkelësi më i madhi të drejtave të njeriut janë gjykatat.

Ai tha se pjesa më e madhe e qytetarëve i drejtohen sistemit gjyqësor për të kërkuar drejtësi, sepse është mekanizmi i fundit dhe final, ai që nxjerr një verdikt lidhur me një të drejtë të caktuar. Aktualisht në Kosovë, numri i lëndëve në procedim thuhet që është rreth 200 mijë, derisa kohëzgjatja e lëndëve gjyqësore, kalon afatin minimal 5 vjeçar, e që është kundër çdo standardi dhe që vet gjykatat, siç thotë Jashari, e kanë konfirmuar këtë problem.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Jashari, si e përshkruani gjendjen aktuale të të drejtave të njeriut në Kosovë, bazuar në ankesat dhe rastet që ju i procedoni?

Hilmi Jashari: Situata e të drejtave të njeriut në vend, bazuar në ankesat që i pranojmë ne, është jo e mirë ose jo e kënaqshme do ta quaja, për vet faktin që identifikohen probleme sistematike në tri shtyllat e shtetit, duke filluar nga sistemi legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, të cilat vuajnë nga pasojat sistematike në vetë sistemin.

Nëse flasim për sistemin legjislativ është evidente që sistemi legjislativ ka vite të tëra që ballafaqohet me amandamentime të shpeshta të ligjeve që tejkalojnë gjithmonë shkallën e 50 për qind të ligjeve brenda një viti kalendarik, që është absolutisht jo e pranueshme për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm dhe të sigurt juridik, dhe që synon të ketë ligje të sakta dhe precize dhe që i qëndron kohës.

E dyta, ky vend ka dështuar që të bëjë harmonizimin e të gjithë legjislacionit që është në fuqi për shkak që nuk është bërë asnjëherë procesi i kodifikimit të së drejtës ose përmbledhja e ligjeve të një fushe përkatëse me një dokument ligjor të vetëm i cili publikohet dhe është i gatshëm për të gjithë në gazetën zyrtare. Pjesë të legjislacionit janë të shpërndara në faqet e gazetës zyrtare, ligjet kryesisht, ndërsa rregulloret janë të publikuara në ueb faqen e kryeministrisë.

Te pjesa e udhëzimeve administrative zakonisht publikohen në faqe të ministrive dhe është një proces komplet i fragmentizuar i sistemit ligjor. Kjo e bën të pamundur pastaj për gjyqtarët apo zbatuesit e ligjit që të zbatojnë standardet që kërkohen nga ta mirëpo është edhe ndryshimi i shpeshtë i ligjit që pamundëson të ketë një konsistencë në zbatimin e ligjit dhe e bën një situatë të pasigurt për këdo që zbaton ligjin.

Por, mbi të gjitha, iu jep mundësi zbatuesve të ligjit që të kenë një lloj diskrecioni të madh në vendosjen e çështjeve që kanë në shqyrtim ligjet që ndërrohen shpesh dhe kjo ndikon komplet në perceptimin që krijohet nga opinioni publik për mungesën e besimit në sistemin gjyqësor apo atë administrativ për vetë faktin që ligjet nuk arrijnë të zbatohen si duhet, ndërsa Kuvendi i Kosovës nuk arrin të ketë një kontroll të fuqishëm parlamentar të ekzekutivit për t’i mbajtur ata të përgjegjshëm dhe llogaridhënës sa i përket zbatimit të legjislacionit.

Megjithëse kjo nuk ka funksionuar asnjëherë vjen në pamundësi për të marrë vendime, për të nxjerrë konkluzione ose eventualisht për të vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e një ministrie përkatëse apo edhe të individit që udhëheq atë ministri, për shkak të mungesës së rezultateve në zbatimin e ligjeve.

Të ngjashme