Institucioni i Avokatit të Popullit ka mbajtur tryezë diskutimi në lidhje me publikimin e dy raporteve me rekomandim, raporton Ekonomia Online.
Raporti i parë kishte të bënte me të drejtat e nënave vetushqyese lidhur me njohjen e pushimit vjetor edhe për dy ditë pune.
Kurse raporti i dytë është në lidhje me masat operative parandaluese për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Pas hetimeve në të dy rastet Avokati i Popullit ka konstatuar shkeljet dhe i është drejtuar me rekomandime institucioneve.
Avokati i Popullit Naim Qelaj, tha se viti 2021 do të jetë provim për institucionet për mbrojtjen nga diskriminimi.
Madje ai shtoi se nuk janë të kënaqur me zbatimin e Ligjit për barazi gjinore.
“Jemi në një situatë jo të zakontë. Unë dua të theksoi se viti 2021 do të jetë provim për mbrojtjen nga diskriminimi”.
“Mirëpo deri më tani nuk jemi të kënaqur sa i përket Ligjit për barazi gjinore dhe sa i përket diskriminimit. Kjo kampanjë do të ketë fokus mbrojtjen nga diskriminimi”.
Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, tha se kanë për obligim që të punojnë me Avokatin e Popullit.
Ai ka shtuar se kanë emëruar hetues që merret me rastet e dhunës në familje, raporton EO.
“Policia duke konsideruar se dhuna në familje është shkelja më e madhe për të drejtat e njeriut e ka përcaktuar njërën ndër prioritet kryesore. Policia ka drejtorinë e cila mbulon një pjesë të madhe në fushën e krimit”.
“Policia është angazhuar që ta trajtojë këtë çështje dhe të gjejë mjete përmes donatorëve që ky projekt të realizohet në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Krahas pushimeve tjera vjetor për dy dit pune Policia e Kosovës e ka rregulluar. Nënat më fëmije deri në moshën 3 vjeçare kanë të drejtë pushimi vjetor për dy ditë”.
Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së kryeministrit tha se duhet të merret shembull puna e Avokatit të Popullit në zbatimin e ligjeve në fuqi, duke shtuar se duhet që të respektohen rekomandimet e nxjerra nga ky institucion.
“Dhuna në familje, diskriminim janë në rritje dhe kërkohet angazhim institucional për ta luftuar dhe ndëshkuar. Dhe kërkohet mobilizim institucional për ta parandaluar dhunën në familje”.
“Si institucion kemi rrit dinamikën me te gjitha instancat me zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit. në baza ditore komunikojmë me ministritë dhe kur shohim publikim të Avokatit të Popullit. Ne duhet të jemi më shumë të koordinuar në zbatim të këtyre rekomandimeve”.