“Avokati ka paralajmëruar se do te largohet nga fundi i këtij muaji”- kërkohet rritje e përkrahjes financiare për Thaçin

Prishtinë | 22 Gus 2024 | 17:17 | Nga Ekonomia Online

Ish-këshilltari dhe kryetari i Bordit të Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”, u ka dërguar letër krerëve shtetërorë me kërkesën që të rritet përkrahja financiare për Hashim Thaçin i akuzuar për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

Në letrën e drejtuar kryeministrit Albin Kurti, kryekuvendarit, Glauk Konjufca dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Syla ka thënë se ekipi mbrojtës i Thaçit është duke u përballur me sfida të mëdha financiare me c’rast ka kërkuar edhe mbështetje në mënyrë që të largohen këto sfida.

Aty thuhet se edhe vendosja e kufizimeve të shpenzimeve për mbrojtje juridike me udhëzimin administrativ MD-NR.01/2023 për plotësim ndryshimin e Udhëzimit Administrativ MD-Nr. 08/2022 për mbrojtje juridike për persona të akuzuar nga DhSK, e ka vënë mbrojtjen e Thaçit në situatë të pamundësisë për ta kryer funksionin e tyre. Sipas tyre, edhe avokati tjetër i Thaçit ka paralajmëruar që të largohet ne fund të këtij muaji.

“Në mungesë të mjeteve financiare jo vetëm që i është larguar njëri prej avokatëve kryesorë por edhe aktualisht avokati kryesor i angazhuar ka paralajmëruar se do të mund të largohet në periudhën e ardhshme respektivisht nga fillimi fazës së gjykimit pas pushimeve verore, përkatësisht nga fundi i këtij muji”, thuhet në letër drejtuar institucioneve të Kosovës.

Si rrjedhojë, sipas tyre do të kishte pasoja paralizuese jo vetëm për mbrojtjen e Thaçit por edhe vetë procesin pasi që do të ndikonte në shtyrjen e tij për së paku gjashtë muaj deri në zëvendësimin e ndonjë avokati tjetër.

Në këto rrethana, Syla ka potencuar se e vlerësojnë urgjente mbështetjen financiare shtesë që t’i sigurohet mbrojtje efektive ish-presidentit Thaçi në procesin gjyqësor ndaj tij.

Ndërsa, për fondin të cilin e udhëheq, Syla ka thënë se nuk ka arritur që të sigurojë fonde të mjaftueshme të cilat do të bënin të panevojshme këtë kërkesë.

“Fondacioni konsideron se përmes mbështetjes financiare shtesë nga institucionet të Republikës së Kosovës, do të mundësohet edhe qasja efektive në drejtësi, respektivisht në garancionet që derivojnë prej saj, e të cilat përfshijnë por nuk kufizohen edhe në të drejtën për t’u mbrojtur nga mbrojtësit e zgjedhur me vullnet të lirë pa i’u nënshtruar asnjë kufizimi”, thuhet tutje në kërkesë.

Në këtë letër thuhet se pamundësia financiare jo vetëm e Thaçit por e cilit do person të akuzuar nga DhSK-ja do t’i vendoste në pozitë të pabarabartë në raport me Zyrën e Prokurorit të Specializuar pasi sipas tyre ata kanë buxhet shumë më të madh në kryerjen e funksioneve të tyre.

Tutje, në letër thuhet se kjo është beteje juridik në të cilën është duke u mbrojtur legjitimiteti i UÇK-së si dhe integriteti i kauzës së drejtë të kësaj lufte si reagim në mbrojtjen e jetës dhe lirisë së popullit të Kosovës.

Krejtësisht në fund, letra potencon se Fondacioni beson se ndarja e mjeteve financiare të kërkuara do t’i shërbente drejtësisë dhe mbrojtjes së kauzës së drejtë të UCK-së përballë tendencave për të vendosur paralele midis aktivitetit të saj çlirimet dhe krimeve të Serbisë gjatë viteve të 1998-1999 në Kosovë.

Më 14 shkurt 2024, trupi gjykues në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët miratoi tërheqjen e Gregory Kehoes së bashku me ekipin mbështetës nga përfaqësimi juridik ndaj ish-Presidentit, Hashim Thaçi.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. 

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme