Avokati i Popullit të Kosovës ka lëshuar një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, sipas të cilit dhuna ndaj gruas vazhdon të mbetet brengosëse.
Në deklaratë thuhet se si pasojë e diskriminimit dhe pabarazisë shoqërore, gruaja vazhdon lehtësisht t’i ekspozohet dhunës.
“Dhuna ndaj gruas paraqet shkelje të të drejtave të njeriut dhe mbetet problem shqetësues, përballë të cilit, autoritetet përgjegjëse, por edhe shoqëria si tërësi, nuk guxojnë të heshtin”, thuhet në deklaratë.
Deklarata e plotë e Avokatit të Popullit:
Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, shënon fillimin e 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës ndaj gruas, jo si fushatë e shkëputur dhe e kufizuar në kohë, por si intensifikim i përpjekjeve globale për ta parandaluar dhunën ndaj gruas.
Në kontekstin vendor, po ashtu dhuna ndaj gruas mbetet brengosëse! Në shumë raste, gruaja nuk është vetëm viktimë e dhunës së ushtruar ndaj saj, por edhe të vet mos veprimeve dhe jo prioritetit e neglizhencë e institucioneve përkatëse. Kosova ka një bazë solide ligjore për mbrojtjen nga dhuna në familje, përfshirë këtu edhe Ligjin për kompensim të viktimave të krimit Nr. 05/L -036, i cili, përkundër faktit se u njeh viktimave të dhunës në familje të drejtën e kompensimit financiar, si viktima të veprave të dhunshme penale, vazhdon të jetë i pazbatueshëm.
Avokati i Popullit rikujton autoritetet kompetente që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje për domosdoshmërinë e zbatimit të rekomandimeve nga raportet që trajtojnë këtë çështje:
Avokati i Popullit thekson se dhuna ndaj gruas mund dhe duhet të shmanget, duke vendosur energjinë dhe veprimin e përbashkët institucional e shoqëror në masa parandaluese dhe përpjekje për ta adresuar si problem dhe për të gjetur zgjidhje. Edukimi i përgjithshëm e ngritja e vetëdijes përkitazi me rëndësinë e trajtimit të barabartë gjinor, si dhe gjithëpërfshirja e gruas në secilin segment të jetës sociale, ekonomike dhe kulturore janë thelbësore për arritjen e progresit të përgjithshëm.