Avokati i Popullit: Ngecje në kontributet e ulëta buxhetore në shëndetësi

Prishtinë | 08 Dhj 2016 | 16:43 | Nga

Avokati i Popullit ka prezantuar Raportin mbi Vlerësimin Nacional të të Drejtave të Shëndetit Seksual dhe Riprodhues në Kosovë.

Avokati i Popullit ka evidentuar ngecjet dhe sfidat e identifikuara të cilat kanë të bëjnë me: kontributet e ulëta buxhetore në shëndetësi; implementimin e dobët të ligjeve dhe politikave; koordinimin e dobët mes sektorëve, si dhe autoriteteve qendrore dhe komunale; kufizime në grumbullimin e të dhënave përfshirë sistemin e informimit shëndetësor – raportim i kufizuar dhe të dhëna të pasakta, raporton Ekonomia Online.

Raporti i Avokatit të Popullit për shëndetin riprodhues:

Ky Raport ka për objektiv vlerësimin e të arriturave dhe barrierave politike, ekonomike, sociale dhe kulturore mbi shëndetin seksual dhe riprodhues në vend, përmes thjerrës së të drejtave të njeriut, të garantuara me Kushtetutë; mbajtjen e autoriteteve përkatëse përgjegjëse kundrejt obligimeve të tyre ligjore në raport me të DShRS; dhënien e rekomandimeve për veprimet që hapin potencial për progres dhe mbështetje për realizmin e të DShRS për popullatën e Kosovës.

Vlerësimi është i fokusuar brenda kornizës së shtatë çështjeve kyçe: Shërbimet dhe informatat mbi kontraceptivët; Abortin e sigurt; shëndetin e nënës; HIV/AIDS; Edukimi gjithëpërfshirës seksual; Dhuna kundër gruas; Kanceri dhe shëndeti riprodhues, duke pasur parasysh brenda fokusit të vlerësimit edhe Grupet vulnerabël; besueshmërinë dhe praninë e të dhënave; jo-diskriminimin, privatësinë përfshirë konfidencialitetin, pjesëmarrjen etj.

Gjithsesi, sistemi i gjerë shëndetësor dhe konteksti socio-ekonomik, si dy çështje thelbësore për të kuptuar të DShRS janë marrë parasysh gjatë hartimit të Raportit, i cili ka identifikuar po ashtu fushat e progresit dhe pengesat.

Analizimi i të dhënave është mbështetur në tre pyetje kyçe: Cila është gjendja e të DShRS të popullatës së Kosovës, përfshirë grupet e margjinalizuara? Cilat ligje kyçe, politika dhe iniciativa janë miratuar nga Qeveria dhe cila është gjendja e implementimit të tyre?  dhe Cilat janë përputhjet dhe mospërputhjet mes mbrojtjes kushtetuese të DSHRS-së dhe realitetit?

Raporti konstaton se Kosova ka progres domethënës sa i përket kornizës kushtetuese për mbrojtjen e të DShRS-ve; numër relevant ligjesh e politikash; progres në zhvillimin e një sistemi të ri shëndetësor me sistem të duhur referimi dhe veçanërisht në lidhje më çështjet e DShRS-së: shkallë të ulët të vdekshmërisë dhe prevalencë të ulët të HIV/AIDS-it.

Ndërkaq ngecjet dhe sfidat e identifikuara kanë të bëjnë me: kontributet e ulëta buxhetore në shëndetësi; implementimin e dobët të ligjeve dhe politikave; koordinimin e dobët mes sektorëve, si dhe autoriteteve qendrore dhe komunale; kufizime në grumbullimin e të dhënave përfshirë sistemin e informimit shëndetësor – raportim i kufizuar dhe të dhëna të pasakta; qasje më të kufizuar në kujdes shëndetësor për personat që jetojnë në zonat rurale; tendencë të popullatës për të kapërcyer qendrat e mjekësisë familjare  drejt specialistit të shëndetit seksual dhe riprodhues; monitorim i dobët dhe mungesë llogaridhënie, përfshirë  praktikat lidhur me abortin klandestin dhe implementimin e politikave, pjesëmarrja e kufizuar e popullatës, përfshirë grupet e margjinalizuara në zhvillimin e politikave në lidhje me DSHRS-në,  respektim i dobët i privatësisë dhe konfidencialitetit nga profesionistët; skadim i shumicës së politikave mbi shëndetin riprodhues dhe seksual etj.

Raporti thekson se Kosova ka nevojë për: aktualizim, implementim dhe monitorim të implementimit të politikave;  të zhvilloj Sistemin e Informimit Shëndetësor, ashtu që të dhënat e duhura dhe disagreguara të grumbullohen në mënyrë rutinore; të zgjeroj ofrimin e edukimit gjithëpërfshirës të detyrueshëm seksual në të gjitha shkollat; të përmirësoj privatësinë dhe konfidencialitetin në institucionet shëndetësore; të përmirësojë njohuritë dhe qasjen në metodat e kontracepsionit modern; të mbështes implementimin e kornizave ligjore dhe politikave mbi dhunën ndaj gruas përmes ngritjes së vetëdijes rreth DSHRS-ve, në këtë kontekst mes popullatës, gjyqësorit dhe institucioneve kyçe; të adresojë shërbimet ilegale të abortit; si dhe të adresojë të drejtat e shëndetit riprodhues dhe seksual tek grupet e rrezikuara.

Raporti “Të drejtat në shëndetin seksual dhe riprodhues në Kosovë: Një realitet përtej ligjit” përcjell 62 rekomandime për autoritetet përgjegjëse, të shpërndara sipas çështjeve kyçe të trajtuara dhe duke pasur parasysh problemet e ndërlidhura, si dhe grupet e rrezikuara dhe të margjinalizuara…”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme