Shteti i Kosovës nuk ka bërë asgjë në realizimin e të drejtës së punëtorëve që kanë kontribuar deri më 1999 në fondin pensional, e i cili nga ajo kohë mbahet i bllokuar nga autoritetet e Serbisë, ka thënë Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, shkruan sot Koha Ditore.
Madje, sipas tij, dështimi i institucioneve bëhet edhe më i pajustifikueshëm, kur dihet se gjashtë vjet më parë, Gjykata Evropiane e Strasburgut ka vendosur që Serbia t’i kthejë kontributdhënësve fondin prej afro 2 miliardë eurove.
Në kohën kur ky fond është vënë në kontroll të Serbisë kanë qenë afro 90 mijë përfitues nga Kosova. Tash sipas listave zyrtare, numri është tkurrur në 61.750 persona.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, thotë se kjo çështje është e përfunduar me vendimin e Gjykatës së Strasburgut, por që sipas tij, Kosova ka dështuar të kërkojë zbatimin e këtij aktgjykimi.