Gazetari britanik i referohet Kosovës në një shkrim për Ukrainën: Serbia s’mund ta marrë atë pa luftë

Prishtinë | 07 Mar 2022 | 15:55 | Nga Ekonomia Online

Anatol Lieven, hulumtues i lartë për Rusinë dhe Europën në Institutin amerikan, Quincy, në një opinion në gazetën e njohur britanike The Guardian e ka shtruar pyetjen se si do të dukej një marrëveshje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë.

Në analizën e tij, Lieven e fut edhe Kosovën, teksa shkruan për Krimenë e aneksuar nga Rusia.

“Mbetet kërkesa për njohjen e aneksimit rus të Krimesë. Këtu, respektimi i ligjit ndërkombëtar (pak i paqartë në rastin e Krimesë, e cila u transferua nga Rusia në Ukrainë vetëm me dekret sovjetik në vitin 1954) duhet të zbutet nga konsideratat e realitetit, parandalimi i konfliktit të ardhshëm dhe interesat e njerëzve të zakonshëm në rajon – që në thelb është ajo që ne i kemi kërkuar Rusisë ta bëjë në rastin e Kosovës”, ka shkruar ai.

Lieven shton se Ukraina nuk mund ta rimarrë Krimenë, ashtu siç Serbia nuk mund ta rimarrë Kosovën pa luftë të përgjakshme e të pafundme.

“Ukraina tashmë e ka humbur Krimenë dhe nuk mund ta rimarrë atë, pasi as Serbia nuk mund ta rimarrë Kosovën, pa një luftë të përgjakshme dhe të pafundme që në këtë rast Ukraina pothuajse me siguri do ta humbte”.

Sipas Lieven, parimi në këto mosmarrëveshje duhet të jetë që “fati i territoreve në fjalë duhet të vendoset nga referendumet demokratike lokale nën mbikëqyrjen ndërkombëtare”.

“Kjo duhet të zbatohet edhe për republikat separatiste të Donbasit”, shkruan gazetari britanik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme