Urim Vokshi, avokati mbrojtës i Yusuf Karbina, njëri nga personat e deportuar në Turqi, ka dhënë një deklaratë të përbashkët të avokatëve të angazhuar në këtë ngjarje.
“Ne avokatët e angazhuar si mbrojtës të çështjes së deportimit të kundërligjshëm të 6 shtetasve turq nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe dorëzimit të tyre shërbimit të inteligjencës turke shprehim keqardhjen tonë si shtetas të Republikës së Kosovës, ndaj familjarëve të tyre për ngjarjet që i kanë goditur ata tash e sa ditë nga ky akt i pa precedent në shtetin tonë”, tha ai.
Vokshi tha se kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të Kosovës që të ndërmarrin gjitha masat e nevojshme për të siguruar jetën dhe shëndetin e personave të cilët janë deportuar kundërligjshëm, sipas tij, masa të detyrueshme këto për një shtet të demokratik.
“Për rastin konkret Kosova ka përgjegjësi direkte në rast të torturës, trajtime çnjerëzore, poshtëruese dhe degraduese nëse do të aplikohen nga shteti turk për personat e deportuar kundërligjshëm”, tha ai.
Familjarët e të depërtuarve “kundërligjshëm”, sipas Vokshit, kërkojnë unanimisht nga institucionet e vendit që të zbardhet në tërësi si kanë ndodhur gjërat, që nga moment i revokimit të leje qëndrimit.
“Arsyet për revokim, mënyrën e arrestimit, kush i arrestoi, ku i dorëzuan, kujt ju dorëzuan, kohën e deportimit të tyre, dhe të gjitha detajet e tjera. Familjarët kërkojnë që të bëhet një hetim parlamentar, i cili do të duhej të përcillej dhe mbështetej në prova edhe nga përfaqësuesit e tyre”, tha ai.
Përveç hetimit parlamentar, Vokshi tha se familjarët kërkojnë unanimisht të iniciohet edhe procedura penale dhe të sillen para gjykatës të gjithë personat penalisht përgjegjës për të gjithë atë se çfarë ka ndodhur.
Sipas tij edhe familjarët ndjehen të rrezikuar për faktin se në çdo moment mund të kidnapohen dhe ti dërgohen shtetit turk.