Avokati tregon se si u arrestua zyrtari që dyshohet se i transferoi 2 milionët

Prishtinë | 22 Tet 2020 | 18:29 | Nga Ekonomia Online

Zyrtari i Ministrisë së Financave që po dyshohet për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari, Labinot Gruda nuk ka tentuar t’u ikë policëve gjatë arrestimit. Kështu ka deklaruar në Frontal të T7, avokati i tij, Veton Rrecaj.

Rrecaj ka thënë se Gruda është sjellur mirë me policët, kur këta të fundit shkuan për ta arrestuar.

“Ka qenë koperativ me Policinë… Besoj se është arrestuar në shtëpinë e tij. I njëjti as nuk ka tentu me ikë apo… Ka qenë Policia që e ka ndalu”, ka thënë avokati.

Ai ka treguar se klienti i tij është deklaruar i pafajshëm në seancën e sotme dëgjimore, ku iu caktua masa e paraburgimit për një muaj.

Me katër transfere, Gruda dyshohet se i çoi 2,077,995.90 euro të shtetit në llogari të kompanisë “LDA Group” me bazë në Llapushnik të Drenasit, pronarët e së cilës ndodhen në arrati.

Gazeta Express mëson nga burime të sigurta se në llogarinë e “LDA Gruoup” fillimisht ishin transferuar 622 mijë euro, herën e dytë 375 mijë, pastaj 330 mijë dhe për herë të fundit 750 mijë euro.

Burime bëjnë të ditur po ashtu se hetimi për këtë vjedhje përfshin 40 njerëz, të cilët në forma të ndryshme dyshohet se janë bërë protagonistë të këtij skandali.

Skandali i vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga buxheti i shtetit është planifikuar mbi një strategji që gjeti zbatim për 8 minuta, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Të ngjashme