Avokati i njohur Azem Vllasi është plagosur me armë zjarri mëngjesin e sotëm afër shtëpisë së tij në Prishtinë në rrugën “Hajdar Dushi”.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se rasti i plagosjes ka ndodhur rreth orës 08:00. Pjesëtarë të Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marrë me rastin.
Prokurorja Bukurie Gjonbalaj ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka thënë se hetimet janë duke vazhduar dhe për këtë rast i dyshuar është vetëm një person, raporton Ekonomia Online.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (ShSKUK) përmes një njoftimi për media ka thënë se në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare e Kosovës, pas orës 8:00 të mëngjesit të sotëm, është pranuar për trajtim një pacient si pasojë e plagosjes me armë zjarri në krah.
“I plagosuri menjëherë ka marrë ndihmën mjekësore nga ana e mjekëve të Klinikës Emergjente dhe është jashtë rrezikut për jetë. Pas ekzaminimeve mjekësore, vërtetohet se bëhet fjalë për plagosje me armë zjarri”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.
“I njëjti është dërguar për ekzaminim me Tomografi të kompjuterizuar (CT) dhe pas ekzaminimeve pritet të ndërmerren masat e nevojshme për trajtim të mëtejmë shëndetësorë”, thuhet në njoftim.
Foto: Ekonomia Online