Avokati Yll Zekaj ka reaguar ashpër në lidhje me mos veprimin që Burgu në Lipjan nuk po kryen karshi 35 të ndaluarve në rastin e skandalit një milionësh në Byronë Kosovare të Sigurimeve e ndaj të cilëve në seancën e së premtes Gjykata Themelore në Prizren vendosi t’i kthejë në ndalim, e që afati ka skaduar sot në ora 10:00.
“Ne Kosove ndodh që Institucionet shkelin Kushtetuten dhe ligjin, si ne rastin e zyrtareve te Burgut te Lipjanit, duke pritur veprimin e nje institucioni tjetër në këtë rast Gjykatës Themelore ne Prizren. Dje në seancë për vendosje lidhur me masën e sigurisë për 39 personat e ndaluar ne rastin BKS, e cila filloi në ora 16:00 dhe përfundoi në ora 22:30, edhe pse Prokuroria për 35 të ndaluar kërkoi masën e paraqitjes në stacionin policor, Gjykata në vend se t’i lirojë menjëherë me procesverbal, vendosi t’i kthejë në ndalim (pa vendim të veçantë), në pritje që aktvendimi për masë të merret jashtë seancës edhe pse gojarisht gjyqtari e tha qe vendimi do te merret sot ne ora 10:00. I vetmi vendim i ligjshëm që ekziston deri tani në këtë rast është ai i ndalimit për 48 orë, i cili ka skaduar sot ne ora 10:00”, ka shkruar Zekaj.
Zekaj thotë se mbajtja e tyre aty është e kundërligjshme.
“Edhe pse vendimi ka skaduar qe 2 ore, 35 te ndaluarit janë duke u mbajtur në mënyrë te kundërligjshme nga Burgu i Lipjanit, pa asnjë vendim. Vetëm ne Kosove ndodh që një institucion ta konsumoje veprën penale te privimit te kundërligjshëm nga liria, si ne rastin e zyrtareve te Burgut te Lipjanit, ne pritje te vendimit të Gjykatës se Prizrenit”, përfundon shkrimin avokati Zekaj.