Mbrojtja e Hashim Thaçit ka marrë fjalën në seancën ku po paraqiten fjalët përfundimtare në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, të cilët akuzohen për tentim të pengimit të drejtësisë.
Avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, ka kërkuar nga trupi gjykues që vendimi ndaj ish-presidentit të Kosovës të bazohet vetëm në prova dhe ka bërë thirrje për lirimin e tij nga akuzat.
Sipas saj, veprat për të cilat akuzohet Thaçi janë të rralla në praktikën e së drejtës penale ndërkombëtare, ndërsa Prokuroria e Specializuar duhet t’i arsyetojë edhe masat e ndërmarra ndaj tij gjatë hetimeve.
Ajo ka përmendur, ndër të tjera, incizimet e fshehta të bisedave dhe telefonatave të Thaçit, si dhe vizitat e tij jo të privilegjuara, përfshirë ato me bashkëshorten dhe djalin e tij.
“Zotëri Thaçi akuzohet për tentativë pengimi kundër personave zyrtarë për kryerjen e detyrave zyrtare, përmes veprimit të përbashkët në një grup, por megjithatë do të theksoj përsëri që krimet e pretenduara pothuajse nuk ndiqen kurrë penalisht nga ligji penal ndërkombëtar. ZPS-ja duhet ta bëjë këtë sepse duhet të mbulojë dhe të justifikojë masat tejet ndërhyrëse që janë marrë ndaj zotëri Thaçit për muaj të tërë, pra incizimet e fshehta të të gjitha bisedave të tij, dhe bisedave telefonike, dhe vizitave jo të privilegjuara, përfshirë edhe ato me bashkëshorten dhe djalin e tij. Mbrojtja parashtron që provat e Prokurorisë janë të dobëta dhe akuzat e tyre janë të dobëta, qoftë nga ana ligjore apo ajo faktike, dhe këto jusitifkojnë për lirimin nga akuza për zotëri Thaçin për të gjitha akuzat e ngritura”, u shpreh ajo.