Pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Komunës së Drenasit, përkatësisht kryetarit Ramiz Lladrovci dhe akovates Ermira Zhuri për përkrahjen me bursa të katër studentëve nga Drenasi, të premten edhe zyrtarisht janë nënshkruar kontratat mes avokates Zhuri dhe studentëve përfitues.
Avokatja Zhuri e cila jeton dhe vepron në Treviso të Italisë është pritur nga nënkryetari i Komunës, Gani Sylaj, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arsim Haxhiu dhe shefi i kabinetit të Zyrës së Kryetarit, Flamur Curri.
Me këtë rast, nënkryetari Sylaj ka falënderuar avokaten Zhuri për angazhimin që po e tregon për t’i ndihmuar studentëve të Komunës së Drenasit dhe ndihmave të tjera që ka sjellë në Drenas.
Avokatja Zhuri, ka nënshkruar kontratat me studentët përfitues nga lista pritëse dhe ka uruar ata për sukseset ne studime. “Ju jeni ata që do të ndryshoni këtë vend, përgëzime për sukseset e treguara ne studime, ndjehem shumë e emocionuar që më është dhënë mundësia të ju ndihmoj”, ka thënë avokatja Zhuri.
Pas nënshkrimit të kontratave, avokatja Zhuri se bashku me përfaqësues të Kryqit të Kuq nga Italia, të përcjellur nga nënkryetari Syla, kanë vizituar Kryqin e Kuq në Drenas dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas “Dr.Hafir Shala”, ku para disa javësh është pranuar donacioni i një autoambulance nga Kryqi Kuq italian që iniciuese e këtij donacioni ishte avokatja Ermira Zhuri.